Klodian Branko: “Në vendin e ngjarjes i siguruar nga strukturat e policisë së qarkut Korçë kanë filluar kryerja e veprimeve të para hetimore si këqyrja e hollësishme e vendit të ngjarjes, e kufomës, e autoveturës tip Nisan me targa TR 8843 J dhe të gjitha sendeve e prova të tjera të ndodhura ne vendin e ngjarjes. Gjithashtu të gjitha veprimet e kryera janë shoqëruar me filmime dhe fotografime procedurale, vënia në dispozicion e grupit të hetimit të dëshmitarëve që tregojnë rrethanat e hetimit, ka siguruar ekspert topografik për të marrë njohuri mbi terrenin ku ka ndodhur ngjarja dhe skicimi procedural të vendit të ngjarjes. Të gjitha hetimet kryesohen nga prokurori i rrethit gjyqësor Korçë, ngadalësia e veprimeve hetimore të deritanishme rezulton se viktima Kosta Trebicka, një natë para ngjarjes ka fjetur në hotel në Voskopojë dhe në orën 05:00 të mëngjesit ka dalë i vetëm nga hoteli dhe me mjetin e tij është nisur për gjueti. Konfirmohet nga dëshmitarët dhe veprimet hetimore në hotel se ai ka fjetur i vetëm dhe është larguar i vetëm nga hoteli, ka dëshmi të dokumentuara se një orë para ngjarjes është parë i vetëm duke ushtruar gjuetinë. Janë dokumentuar edhe dëshmi të familjarëve dhe njerëzve pranë tij lidhur me ngjarjen. Gjatë gjithë natës nga byroja e ekspertëve mjekoligjor është kryer këqyrja e hollësishme e kufomës dhe autopsia. Konkluzioni paraprak i tyre rezulton se shkaku i vdekjes së viktimës ka qenë poli trauma e shoqëruar me kontuzion, shembje të kokës dhe të gjoksit me dëmtime të organeve përkatëse me mekanizmin e goditjes dhe përplasjes karakteristikë kjo e traumave automobilistike. Në automjetin provë materiale janë fiksuar dhe punuar të gjitha gjurmët dhe mjetet të cilat së bashku me sendet e sekuestruara po i nënshtrohen ekzaminimeve kriminalistike. Në përfundim të veprimeve hetimore, konkluzionet përfundimtare të ekspertëve përfshirë në këtë hetim do të bëhen publik”./tvklan.al