Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Aferdita Sokoli:- “Presidenti i Republikës, ka shqyrtuar me përgjegjësi ligjore, të gjitha emrat e propozuar dhe i ka firmosur ato. Në këtë mënyrë, dekreti i ministrave të rinj është bërë në respekt dhe në zbatim të kompetencave kushtetuese të presidentit. Në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë, neni 98.2 është Kuvendi i Shqipërisë, institucioni që shqyrton dekretet e shkarkimit dhe emërimit të ministrave. Presidenti i Republikës, e quan me vend të sqarojë opinionin publik, politik, se deklarimi i tij është bërë në mesazhin drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, datë 18 Dhjetor 2003, që në listën e emrave të rinj, nuk duhet të përfshihen figura të përfolura dhe të akuzuara nga vetë drejtuesit e lartë të ekzekutivit, pa dhënë më parë sqarime publike për ta. Bindja e presidentit është se anëtarët e kabinetit qeveritar dhe funksionar të tjerë të lartë është e domosdoshme të gëzojnë autoritet moral dhe besueshmëri. Presidenti i ka bërë të njohura rezerva të tij, për ministra të caktuar edhe në takimet me kryeministrin. Megjithatë, në zbatim të detyrës funksionale, presidenti në çdo rast do t’i japë përparësi absolute, gjykimit ligjor dhe kushtetues”./tvklan.al