Dy ditë përpara zgjedhjeve lokale të së dielës Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkojnë shmangien e dhunës, qetësi dhe transparencë.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u bën thirrje të gjithë udhëheqësve politikë, zyrtarëve të qeverisë, agjencive të sigurisë dhe qytetarëve shqiptarë që të sigurohen që zgjedhjet e 30 qershorit të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe transparente. Ne nxisim udhëheqësit politikë të refuzojnë çdo dhe të gjitha llojet e dhunës, apo çdo përpjekje për të penguar procesin zgjedhor apo edhe të drejtën e çdo qytetari për të votuar. Dhuna nuk është një mënyrë legjitime e të shprehurit politik. Ata që përfshihen në akte dhune duhen hetuar me të gjithë fuqinë e ligjit.”

Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë u bëri thirrje aktorëve politikë të mos pengojnë votimin.

“Çdo veprim i dhunshëm, apo çdo formë nxitjeje për dhunë janë absolutisht të papranueshme në çfarëdo lloj rrethane. Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese. Të gjitha palët duhet të angazhohen në një dialog të mirëfilltë, sa më shpejt që të jetë e mundur, për të kapërcyer situatën aktuale politike në mënyrë që t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre në mbështetjen dhe konsolidimin e progresit të bërë nga Shqipëria deri më tani në procesin e reformave në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian.”

Sakaq edhe OSBE-ja ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog.

“Tani, më shumë se kurrë, është e domosdoshme që aktorët shqiptarë të punojnë së bashku për të kaluar ngërçin aktual, të angazhohen në dialog pa parakushte dhe të sigurojnë që zgjedhjet e kësaj të diele të zhvillohen paqësisht. Çdo përpjekje për të nxjerrë nga shinat procesin demokratik, përmes veprimeve të dhunshme, pengon përparimin e Shqipërisë dhe njollos reputacionin ndërkombëtar të vendit.”

Një reagim ka pasur edhe ambasadorja gjermane Suzan Schutz që u bën thirrje të gjitha palëve të kontribuojnë në mënyrë aktive që të pengojnë çdo formë dhune në 30 Qershor.

“Është me rëndësi vendimtare, që zgjedhjet të zhvillohen të lira. Në këtë kontekst ky është një obligim i veçantë i partive opozitare”, thuhet në deklaratën e ambasadores gjermane që shton se akuzat për zgjedhjet e kaluara  duhet të sqarohen në mënyrë të menjëhershme nga agjencitë e zbatimit të ligjit sipas legjislacionit në fuqi.

Tv Klan