Tregu i sigurimeve të automjeteve në vend përgatitet për një kthesë të rëndësishme, përmes projektligjit të ri të hartuar për përafrimin e plotë me direktivat e Bashkimit Evropian.

Drafti i dorëzuar nga Ministria e Financave për shqyrtim synon të rrisë ndjeshëm mbrojtjen e konsumatorëve dhe të vendosë standarde krejtësisht të reja në trajtimin e dëmeve.

“Shoqëria e sigurimit apo një organ tjetër kompetent vendos në dispozicion të të siguruarit, me kërkesë të tij, në çdo kohë, çertifikatën e historikut të dëmeve për sigurimin e detyrueshëm motorik. Kjo çertifikatë lëshohet pa pagesë dhe i dorëzohet të siguruarit brenda 15 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës, në formë shkresore dhe/ose elektronike”, njofton Ministria e Financave.  

Një tjetër lehtësi konkrete për drejtuesit e mjetit është edhe dyfishimi i kufirit për dëmet e vogla pronësore, të cilat do të shlyhen nga kompanitë brenda 14 ditëve kalendarike.

“Përjashtimisht nga parashikimet e tjera, kërkesat për dëmshpërblim për dëme ndaj pronës me vlerë deri në 250 000 lekë paguhen nga shoqëria e sigurimit brenda 14 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes. Drejtuesit e mjeteve të përfshirë në një aksident rrugor, për dëmet ndaj pronës në vlerë deri në 50 000 lekë, nëse bien dakord, duhet të shkëmbejnë Raportin Evropian të Aksidenteve”, njofton Ministria e Financave.  

Ndërkohë, projektligji parashikon gjithashtu një periudhë kalimtare prej 12 muajsh që shoqëritë e sigurimit dhe institucionet të përshtaten me skemat e reja rregullatore.

/tvklan.al