Grupi politik “Demokratët Evropianë” ka reaguar ditën e sotme, më 15 gusht, në Parlamentin Europian në lidhje me çështjen hetimore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Në deklaratën e tyre, ata shprehin shqetësim për mbajtjen kaq gjatë të tij në paraburgim.

“Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, prej pothuajse një viti e gjysmë. Akuzat zyrtare iu njoftuan vetëm në korrik 2025, pas 163 ditësh në paraburgim. Së fundmi, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi një vendim të Gjykatës së Lartë dhe urdhëroi rishqyrtimin e masës së paraburgimit ndaj tij, duke vënë në pikëpyetje proporcionalitetin e saj në lidhje me mandatin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur në mënyrë demokratike”.

Eurodeputetët thonë në deklaratën e tyre se ky është një rast shqetësues për demokracinë shqiptare, pasi drejtësia duhet të ushtrohet duke garantuar të drejtat themelore.

“Ne i bashkohemi thirrjes ndaj autoriteteve shqiptare që të respektojnë shtetin e së drejtës, prezumimin e pafajësisë dhe parimin e proporcionalitetit. Ne do të vazhdojmë ta mbajmë në vëmendje këtë çështje, sepse Shqipëria meriton një të ardhme evropiane, një të ardhme që të jetë plotësisht demokratike, transparente dhe e përkushtuar fort ndaj luftës kundër korrupsionit, duke garantuar njëkohësisht që drejtësia të ushtrohet gjithmonë me paanësi, pavarësi dhe respekt për të drejtat themelore”.

Ky grupim politik i Parlamentit Europian thotë se do të vazhdojë të mbajë në vëmendje çështjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës.

Tv Klan

/tvklan.al