Partia Demokratike në Shtetet e Bashkuara ka pritshmëri të larta ndërsa hyn në këto zgjedhje vendimtare të mesmandatit.
Një president republikan historikisht jopopullor, një publik amerikan i pakënaqur me rritjen e kostove të ushqimeve dhe faturave, si dhe muaj të tërë me sondazhe të favorshme, sugjerojnë një rezultat të mirë për demokratët, sipas BBC.
Sondazhet tregojnë se kandidatët demokratë janë në avantazh në një numër vendesh që e kalon ndjeshëm shifrën prej 218 mandatesh, të nevojshme për të marrë kontrollin e dhomës së ulët të Kongresit, Dhomës së Përfaqësuesve. Gjithashtu, në garat kyçe për Senatin, ata janë në barazim ose në një avantazh të ngushtë.
Sondazhet e fundit të CNN i nxjerrin demokratët në avantazh në Teksas, Kansas dhe Maine. Por a janë të sakta sondazhet?
Historia e fundit politike e Shteteve të Bashkuara është plot me shembuj ku sondazhet e opinionit publik madje edhe ato të kryera pak ditë para zgjedhjeve kanë rezultuar të pasakta.
Në vitet 2016 dhe 2024, Donald Trump arriti rezultate shumë më të mira sesa parashikohej, duke siguruar fitoren për në Shtëpinë e Bardhë.
Humbja e tij e ngushtë në vitin 2020 ndodhi ndërkohë që shumica e sondazheve parashikonin një fitore më të thellë për demokratin Joe Biden.
Më herët gjatë këtij viti, sondazhet sugjeronin se demokrati Abdul El-Sajed do të fitonte me një diferencë dyshifrore në zgjedhjet paraprake demokrate për Senatin në Miçigan. Në realitet, diferenca ishte vetëm 1%.
Sipas Kliford Jong, president i “Ipsos Public Affairs” një organizatë që kryen sondazhe, realizimi i tyre është bërë i vështirë vitet e fundit.
Kjo ndodh sepse është më e vështirë të kontaktosh amerikanët, pasi ata po heqin dorë nga telefonat fiks dhe po përdorin filtra për të shmangur thirrjet.
Për më tepër, shumë nga personat që anketuesit arrijnë t’i kontaktojnë, shprehin më pak gatishmëri për të marrë pjesë.
Megjithatë vitet e fundit, sondazhet për zgjedhjet e mesmandatit kanë rezultuar më të sakta shkruan BBC, pjesërisht sepse Trump dhe aftësia e tij unike për të tërhequr drejt kutive të votimit amerikanët e pakënaqur nuk ishte pjesë e fletëvotimit.
Për momentin, bazuar edhe në prirjet në zgjedhjet e mëparshme presidenciale, gjithçka sugjeron se demokratët mund të kenë një rezultat të mirë më 3 nëntor.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 