Tronditje dhe turp cilësohet nga politikanët në Kosovë vendimi i gjykatës speciale të Hagës që dënoi me 81 vite burg katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimi.
Presidentja në detyrë, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu në një reagim në rrjetet sociale tha se dënimi për ish-krerët e UÇK-së, përveçse një lajm tejet tronditës për Kosovën është dhe një moment i rëndë për kombin shqiptar.
“Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar historinë. Nuk duhet lejuar që dënimet e sotme të përdoren për të relativizuar krimet e regjimit të Serbisë, për ta zvogëluar përgjegjësinë për to apo për të krijuar një narrativë të rreme. Këtë qartësi e presim edhe nga miqtë dhe aleatët tanë. Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë. Aktgjykimet nuk mund ta gjykojnë historinë e një populli as nuk mund ta rishkruajnë atë”, tha kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca pas daljes nga Gjykata e Hagës e cilësoi si një gjykim të tmerrshëm për Kosovën.
“Për luftën tonë çlirimtare. Kosova e ka përjetuar vetë luftën, e dimë çka është lufta e UÇK-së dhe ne e dimë që nuk ka pas far mekanizmi kriminal për me cenu asnjë popullatë. Është vendim i trishtueshëm, i padrejtë, i pamerituar. Vërtet është diçka për të cilën do të jetë dëm shumë i madh, edhe për narracionin tonë, edhe për shtetin e Kosovës. Kur po më kujtohet që aktakuzën e kanë pas Serbi, që janë dënuar 15 vjet në mungesë e kjo gjykatë kinse në emër të popullit me këto dënime drakonike”, deklaroi Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjfuca.
Kryetari i Partise Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza e cilësoi si “të padrejtë dhe të papranueshëm” vendimin duke deklaruar se do ta kundërshtojë atë “me të gjitha mjetet demokratike”.
“Ky aktgjykim mund të jetë shkruar në Hagë. Por historia e Kosovës është shkruar këtu, me sakrificë, gjak dhe luftë për liri. Dhe ajo nuk rishkruhet sot. Agresori ishte Serbia. Viktima ishte Kosova. Dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigjja e popullit tonë që kërkonte të jetonte i lirë. Këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë aktgjykim. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk shkuan në Hagë duke ikur nga drejtësia. Ata iu përgjigjën asaj vullnetarisht, me besimin se e vërteta do të triumfonte. Prandaj, vendimi i sotëm është një goditje e rëndë për luftën e UÇK-së, lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës. Sot, qytetarët e Kosovës ndihen të lënduar dhe të zhgënjyer nga ky aktgjykim i padrejtë”, tha kreu i PDK, Bedri Hamza.
Lidhja Demokratike e Kosovës në reagimin e saj thotë se e ka pritur me shqetësim shumë të thellë aktgjykimin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përmasën e dënimeve ndaj tyre.
“LDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës. Mbështesim pa rezervë kërkesën për shterimin e të gjitha kanaleve ankimore, përfshirë edhe ato të shkallës së dytë. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për qetësi dhe maturi. U kërkojmë përfaqësuesve politikë të tregojnë përgjegjësi në fjalët dhe veprimet e tyre, të shmangin nxitjen e tensioneve dhe të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë dhe të unitetit qytetar. U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike t’i lëmë mënjanë ndasitë dhe të qëndrojmë bashkë për ta përballuar këtë periudhë të vështirë për Kosovën”, thuhet në njoftimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ish-kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e cilësoi vendimin të papranueshëm dhe të padrejtë, pasi UÇK ka bërë një luftë të drejtë.
“Vendimi i sotëm me dënim është i papranueshëm, i padrejtë. UÇK-ja bëri luftë të drejtë çlirimtare. Beteja për drejtësi duhet të vazhdojë, duhet të fitohet në shkallën e dytë. Jo në emrin tim, jo në emër të popullit të Kosovës vendim dënues për UÇK-së. Shqiptarë kudo që jeni, për Kosovën dhanë jetën njerëzit më të çmuar të kombit tonë. Nuk kemi atdhe tjetër. S’kemi vend tjetër. Ju ndihmojmë armiqve nëse dëmtojmë pronën e Kosovës, jetën e njerëzve tonë. Nëse e shkatërrojmë Kosovën, i ndihmojmë armiqve. Do t’i mundim armiqtë të bashkuar”, tha ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Një reagim të fortë ndaj vendimit të Gjykatës së Specializuar të Hagës e pati edhe Ali Ahmeti kreu i Bashkimit Demokratik dhe Integrim në Maqedoninë e Veriut duke u shprehur se ishte i padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes.
“Procesi nuk përfundon këtu. Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund. Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve. Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel”, tha kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ai bën thirrje për maturi dhe unitet në këto momente të rënda për mos rënë në asnjë grackë që synon të krijojë tensione, përçarje apo të njollosë luftën çlirimtare të popullit në Kosovë.
/tvklan.al












Botërori 2026 