Dënimet drakonike për ish-krerët e UÇK-së, reagon djali i Hashim Thaçit

Endrit Thaçi ka reaguar pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë babain e tij, Hashim Thaçi, i cili u dënua me 25 vjet burg.
Ai falënderoi shqiptarët që mbështetën ish-krerët e UÇK-së dhe qëndruan pranë tyre pas vendimit. Ai theksoi se beteja nuk ka përfunduar dhe se familja do të vazhdojë përpara me dinjitet e maturi.
Endrit Thaçi deklaron se historia e UÇK-së nuk mund të ndryshohet nga asnjë vendim gjyqësor.
Makinat e mbuluara me flamuj të UÇK-së, protesta në Fushë Kosovë

Vazhdojnë protestat në mbarë Kosovën këtë mbrëmje në 16 shtator.
Në këto pamje shihen qytetarë, që protestojnë kundër vendimit të Gjykatës së Hagës për dënimet ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ish-krerët e UÇK-së morën dënime drakonike nga Haga, duke marrë në total 81 vite heqje lirie.
Vendimi për ish-krerët e UÇK-së, reagojnë Franca dhe Gjermania
Ministria e Jashtme e Francës tha pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj katërshes së UÇK-së se aktgjykimi mund të apelohet, teksa riktheksoi mbështetjen për gjykatën në Hagë.
“Franca rithekson mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe rikujton përkushtimin e saj për luftën kundër mosndëshkimit. Po ashtu, Franca rikonfirmon mbështetjen e palëkundur për pavarësinë dhe institucionet e Kosovës”, u tha në reagim.
Ndërkohë, edhe Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, bëri thirrje të respektohet vendimi i Gjykatës Speciale, teksa shtoi se Kosova ka bashkëpunuar me mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë.
“Duke themeluar Dhomat e Specializuara dhe duke bashkëpunuar me Tribunalin Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavi, Kosova ka dëshmuar se ka kryer përgjegjësitë e saj, përfshirë ballafaqimin me krimet e luftës, si shtet i pavarur dhe sovran”, tha ambasadori Rudolph.
Sipas ambasadorit gjerman, vendimi ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, “në asnjë mënyrë nuk i shfajëson aktorët jugosllavë nga përgjegjësia për konfliktin e armatosur dhe shkeljet në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut të kryera ndaj popullit të Kosovës në fund të viteve ’90, të cilat tashmë janë hetuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe që nxitën ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar”.
Human Rights Watch: Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, moment i rëndësishëm për viktimat që pritën drejtësi
Organizata për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” ka reaguar pas dënimit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-udhëheqësve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e cilësuar vendimin si “një moment të rëndësishëm për viktimat që kanë pritur për dekada për drejtësi“,
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Hugh Williamson, drejtor për Evropë dhe Azi Qendrore në Human Rights Watch, tha se dënimi tregon se pozitat e larta, përfshirë ato të mbajtura gjatë luftës, nuk duhet të shërbejnë si mburojë ndaj përgjegjësisë për krime të rënda.
“Dënimi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me tre ish-udhëheqës të lartë të UÇK-së për krime lufte, tregon se pozitat e larta apo pozitat gjatë luftës nuk duhet të mbrojnë askënd nga përgjegjësia për krime të rënda”, deklaroi Williamson.
Sipas Human Rights Watch, procesi gjyqësor përbën një zhvillim të rëndësishëm për viktimat dhe familjet e tyre, të cilat kanë pritur prej vitesh për vendosjen e drejtësisë.
Reagimi i organizatës vjen pas vendimit të gjykatës për çështjen ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke e vendosur përgjegjësinë penale për krimet e konstatuara në qendër të vëmendjes.
“Padrejtësi e madhe”, Kadriaj: VV të marrë iniciativën për zhbërjen e Speciales
Deputetja e AKK-së Time Kadriaj, në një intervistë për Klan News nga Prishtina, tha se vendimi i sotëm ndaj ish-krerëve të UÇK-së është padrejtësi e madhe.
Kadriaj theksoi se Vetëvendosje, meqë ka shumicën në parlamentin e Kosovës ta marrë iniciativën për zhbërjen e Speciales.
Time Kadriaj, deputete e AAK-së: Jemi të trishtuar për atë që i ka ndodhur Kosovës, është marre e turp. Gjykata e Hagës është politike, me akuza të ndërtuara nga Serbia. Këto dënime janë absurditet.
Është turp, sepse dënimi nuk është dhënë në emër të popullit të Kosovës. Populli ka dalë në shesh në Prishtinë e në Hagë, është padrejtësi e madhe. Vetëvendosje të marrë iniciativën për të zhbërë Specialen.
Dënimi i komandantëve të UÇK-së, Vuçiç: Nuk u përmendën krimet kundër serbëve
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar sot në 16 shtator pas dënimit të katër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar se për Serbinë prioritet mbetet ruajtja e paqes dhe stabilitetit.
Ai shtoi se shoqëritë duhet të përballen me krimet e kryera dhe se zgjidhja në të ardhmen duhet kërkuar përmes dialogut dhe mirëkuptimit. Lexo më shumë
Harry Bajraktari: Vendimi i Speciales skandaloz, skena politike në Kosovë të bëhet bashkë
Veprimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, e cilësoi si skandaloz vendimin e Gjykatës Speciale ndaj katërshes së UÇK-së, duke vlerësuar se sot është ditë e trishtueshme për Kosovën, por edhe për drejtësinë ndërkombëtare.
“Ata u dënuan sepse qëndruan me popullin e tyre kundër shtypjes, brutalitetit, pastrimit etnik dhe mizorive të regjimit serb. Në anën tjetër, bota po e lejon Serbinë që të ikë nga përgjegjësia për vrasjen e mbi 10.000 personave dhe masakrimin e tyre dhe për përdhunimin e mbi 20.000 grave. Kjo është një nga padrejtësitë më të mëdha në histori. Është absurde”, shkroi ai në X.
Bajraktari tha se tani udhëheqësit politikë duhet të reflektojnë dhe Kosova duhet të përgatitet që të përballet me këtë padrejtësi.
“Për ta fituar këtë betejë, të gjitha ndasitë mes udhëheqësve politikë duhet të ndalen sot”, tha ai.
Bajraktari ftoi Lëvizjen Vetëvendosje, PDK-në, LDK-në dhe Aleancën që të bashkohen për të mbrojtur popullin e Kosovës, duke argumentuar se askush nuk përfiton nga urrejtja, ndasitë, fajësimi apo lojërat politike.
“Tani, më shumë se kurrë Kosova ka nevojë për institucione stabile, unitet, pjekuri politike, zhvillim ekonomik, një ushtri të fortë dhe angazhim të fuqishëm me Uashingtonin, Brukselin, Londrën, Parisin, Berlinin dhe kudo që diskutohet e ardhmja e Kosovës”, tha ai.
Cilat janë procedurat për apelimin e vendimeve të Speciales?

Ekipet mbrojtëse të katërshes së UÇK-së kanë paralajmëruar se do të apelojnë aktgjykimin dënues.
Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim për katër pika të aktakuzës për krime lufte, Jakup Krasniqi po ashtu u dënua me 25 vjet burgim, ndërkaq Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Të katër ish-eprorët e UÇK-së u shpallën penalisht përgjegjës për krime lufte që përfshijnë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Gjatë aktgjykimit të shqiptuar në Hagë, trupi gjykues hodhi poshtë akuzat e ZPS-së për krime kundër njerëzimit.
Katërshja e UÇK-së gjendet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave, palët që apelojnë vendimin e gjykatës ose dënimit, ose të dyja së bashku, duhet të dorëzojnë atë që quhet njoftimin për apel, ku parashtrohen arsyet e apelimit, 30 ditë nga shpallja e aktgjykimit.
Më pas, kryegjykatësi i panelit të Gjykatës së Apelit – gjykatë që përbëhet nga tre anëtarë – mund të caktojë një prej gjykatësve si gjykatës raportues për procedurën paraapeluese. Gjykatësi raportues ka për detyrë të marrë masat e nevojshme për aspektet procedurale, sikurse janë lëshimi i vendimeve, urdhrave dhe udhëzimeve me qëllim që të përgatitet çështja për shqyrtim. Ai duhet që rregullisht ta informojë panelin e Gjykatës së Apelit, veçmas nëse ka kontestime lidhur me çështjet procedurale.
Më pas, brenda 21 ditësh nga njoftimi për apel, kryegjykatësi apo gjykatësi raportues e thërret një konferencë, ku ngrihen çështje rreth apelit.
Palët që parashtrojnë apel duhet të dorëzojnë dosjen e apelit e cila përmban të gjitha argumentet dhe burime të tjera ligjore ku mbështeten arsyet e apelimit. Kjo duhet të dorëzohet brenda 60 ditësh apo brenda 30 ditësh nga njoftimi për apel, nëse çështja ka të bëjë vetëm me dënimin e shqiptuar.
Më pas palët dorëzojnë të ashtuquajturën dosje të përgjigjes, ku paraqesin argumentet ligjore të tyre. Afatet se kur dorëzohet kjo dallojnë: 30 ditë për argumentet dhe burimet ligjore dhe 15 ditë vetëm për dënimin nga paraqitja e dosjes. Kjo pasohet me dosjen e kundërpërgjigjes për të cilën afatet janë më të shkurtra, 15 dhe 10 nëse ka të bëjë vetëm me dënimin.
Pas gjithë këtyre afateve, Gjykata e Apelit e cakton datën e një seance “nëse është e nevojshme”, thuhet në rregullore.
Rregullorja parasheh që palët mund të dorëzojnë prova shtesë gjatë procedurës së apelimit dhe nëse ato pranohen, pala tjetër mund të paraqesë kundërprova.
Gjatë vendimit, Paneli i Apelit shqyrton çdo provë shtesë të pranuar, por edhe provat që veçse janë pjesë e dokumentacionit.
Sapo të përfundojnë parashtrimet nga palët, paneli i Apelit mblidhet dhe shqyrton çështjen dhe nxjerr aktgjykim për dokumentacionin e apelit dhe për çdo provë shtesë të pranuar.
Pra, Gjykata e Apelit mund të lërë në fuqi, të zhbëjë ose të ndryshojë aktgjykimin e trupit gjykues apo të mbahet rigjykim.
Megjithatë, nëse kërkesa për apel bëhet vetëm nga personat e shpallur fajtorë, Gjykata e Apelit nuk mund të shqiptojë vendim më të rëndë se shkalla e parë.
Vendimi i apelit shqiptohet brenda 60 ditësh nga parashtrimi i fundit i palëve. Megjithatë, edhe për këtë mund të kërkohet kohë shtesë, por jo më shumë se një muaji dhe zgjatja e afatit duhet të arsyetohet.
Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar janë tri arsye për të cilat mund të dorëzohen apele për vendime të shkallës së parë: ndonjë gabim rreth ndonjë çështje juridike që e shfuqizon aktgjykimin, ndonjë gabim faktik i cili ka shkaktuar dështimin e drejtësisë ose ndonjë gabimi për sa i përket dhënies së dënimit.
Nëse palët nuk janë të kënaqura me vendimin e Apelit, çështja mund të dërgohet në Gjykatën Supreme dhe më pas në atë Kushtetuese të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Mbrojtësit e ish-presidentit, Hashim Thaçi, thanë se procesi i apelimit mund të marrë vite kohë.
Serwer: Vendimi kundër katërshes së UÇK-së, i padrejtë

Në një shkrim të publikuar pas aktgjykimit ndaj katërshes së UÇK-së, profesori amerikan Daniel Serwer tha se nuk ka dyshim që “disa pretendime ndaj luftëtarëve të UÇK-së janë të vërteta”.
Por, ai tha se nuk beson që Thaçi kishte autoritetet komandues “ndaj forcave që kryen krime”, raporton Rel.
“E di këtë sepse jo vetëm që amerikanët që e dinin këtë dëshmuan në gjykimin ndaj tij, por edhe pse në bisedat me të pas luftës, para luftëtarëve të UÇK-së, ai më tha se roli i tij ishte i kufizuar në zëdhënës politik të UÇK-së. Ai nuk ishte luftëtar apo komandat”, shkroi Serwer.
Qytetarët protestë para Qeverisë së Kosovës
Një protestë e madhe është zhvilluar në Prishtinë, para qeverisë së Kosovës.
Ka pasur disa përleshje mes protestuesve dhe policisë, por kanë qenë episode sporadike.
Ndërsa, tashmë situata paraqitet më e qetë. Protestuesit vazhdojnë që të qëndrojnë para ndërtesës të qeverisë në Prishtinë, teksa mbajnë në duar flamuj kombëtar.
Kujtojmë se sot, Gjykata e Hagës ka dënuar në total me 81 vite burg ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.












Botërori 2026 
