Kjo e diel, rezervon një nga ndeshjet më të bukura dhe të luftuara në kampionatet elitare, siç është derbi Inter-Milan.

Dy ekipet njihen për rivalitetin e madh mes tyre dhe do të kërkohet me çdo kusht fitorja. Pritet një ndeshje e bukur në “San Siro”, aty ku spektakli është i garantuar.

Derbi është edhe një provë “zjarri” për trajnerin e Milanit, Paulo Fonseca. Ky i fundit rrezikon shkarkimin në rast se nuk fiton dhe për këtë arsye, presioni është i madh.

Në konferencën për shtyp, tekniku portugez deklaroi se nuk mendon për të ardhmen, por edhe ai është i vetëdijshëm se takimi i sotëm është vendimtar për të.

Kuqezinjtë vijnë pas humbjes me Liverpool, me një paraqitje zhgënjyese, që ka irrituar së tepërmi tifozët.

Ndryshe është situata tek Interi, që vjen në këtë takim pas barazimit pa gola ndaj Manchester City-t, me një paraqitje shumë të mirë.

Zikaltërit nuk njohin humbje prej gjashtë ndeshjesh radhazi ndaj Milanit dhe në takimin e sotëm vijnë si favoritë.

Ndeshja Inter-Milan, është planifikuar të luhet mbrëmjen e kësaj të diele, në stadiumin “San Siro”, duke nisur nga ora 20:45. /tvklan.al