Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ziso Kristopulli është një nga tre të rrëmbyerit nga punonjësit e SHISH, por i vetmi që i mbijetoi torturave të ish-oficerëve të këtij institucioni. Ai ka qenë kryetari i PS për Ksamilin dhe ka dhënë dëshminë e plotë të rrëmbimit. Si u implikua me gazetarin austriak me emrin Armando dhe tregtarin shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha.

Pas 8 vjetësh nga ngjarja dhe pak ditë pas arrestimeve të tre punonjësve të SHISH-it, Kristopulli rrëfen, se tre ditë pas torturave çnjerëzore, ka takuar përfaqësues të lartë të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi dhe Namik Dokle, të cilët i ka njohur me pengmarrjen.

Ziso Kristopulli:- “Kujtoj një ngjarje të jashtëzakonshme, që më ka kushtuar jashtëzakonisht nga ana psikologjike, ekonomike, qoftë edhe vështirësi shpirtërore. Në datën 16 Tetor të vitit 1995, pranë kryqëzimit të Ksamilit mu paraqitën katër veta me një makinë Audi, më ndalojnë nga makina dhe më thonë: Je Ziso Kristopulli? Po i them, jemi kontrolli i shtetit thonë. Unë them se ishte aspekti tamam i karakterit politik, për arsye se nëpërmjet këtij aspekti, unë si intelektual dhe si bazament i këtij aspekti që kam 25-30 vjet në Ksamil, kisha një reputacion tek populli, një farë respekti dhe PD këtu nuk kishte mundur të fitojë më shumë se 7-12%. Njëkohësisht, për Tiranën më ingranuan edhe me Remzi Hoxhën, si agjent i serbit i UDB-së. Këtu shtuan shtesën për Remziun si trafikant armësh, sikur ne kemi transportuar armë nga Serbia, nga Mali i Zi, të gjitha llojet e armatimit dhe këto pasi i thoshin ata, që e ke bërë këtë punë, fillimisht unë nuk pranoja asgjë, se nuk mund ta thosha, pastaj pranova e mblodha mendjen që do më vrasin”./tvklan.al