“Jemi shumë larg arritjes së një marrëveshje me Kurtin!” Kështu ka deklaruar përpara mediave, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku pas një tjetër takimi me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.
Në rast se mazhoranca aktuale nuk arrin një marrëveshje me një prej partive opozitare për kryetarin e ri të Kuvendit dhe presidentin e Kosovës, atëherë vendi rrezikon të shkojë përsëri drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.
“Nuk kam lajme të reja, por mund t’iu them se jemi shumë shumë larg një marrëveshje”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se për t’u arritur një marrëveshje politike partia e tij duhet të përfaqësohet në bashkëqeverisje, duke përsëritur se LDK duhet të propozojë emrin e kandidatit për president në bashkëveprim me LVV-në.
“Çështja e presidentit, LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerin tonë dhe këtë pikë nuk kemi pasur dakordim. Pozicionimi ose oferta e dhjetorit që tashmë e keni të qartë që LDK të merr vetëm… jo kryetarin e Kuvendit, por zëvendëskryeministrin dhe disa ministri nuk qëndron nuk është e mjaftueshme, nuk është e dinjitetshme për të dhënë zgjidhje për krizën në të cilën jemi tani…
Nëse e doni LDK-në në qeverisje atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar, kryeministri nuk na takon sepse është vullnet i popullit që partia e parë ta merr këtë pozicion, kryetari i Kuvendit i takon partisë së parë me Kushtetutë të Kosovës, përfaqësimi i vetëm që mund të mbetet është një propozim nga LDK të cilin e diskutojmë bashkarisht. Nëse kjo nuk arrihet atëherë me keqardhje LDK s’mund të kontribuojë më tepër në bisedime dhe takime”, tha ai.
Në mesnatë, përfundon dhe afati zyrtar për konstituimin e Parlamentit. Deputetët u betuan dje për detyrën e ligjvënësit ndërsa seanca u shty pasi Albin Kurti nuk propozoi emër për kryetarin dhe kërkoi më shumë kohë për bisedime me partitë e tjera.
Zgjedhjet e fundit në Kosovë u mbajtën me 7 qershor, rezultat që u dominua përsëri nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, i cili mori 53 mandate. Rrjedhimisht ai ka nevojë për bashkim forcash me opozitën për për t’i dhënë vendit presidentin e ti e për t’i dhënë fund krizës institucionale.
Duhen të paktën 61 për ta konstituuar Kuvendin dhe formuar Qeverinë e re. Për zgjedhjen e presidentit të Kosovës nevojitet prania e 80 deputetëve në sallën e Kuvendit me 120 vende që votimi të jetë i vlefshëm.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, atëherë organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Në rast se vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që nga fillimi i vitit 2025.
/tvklan.al












Botërori 2026 
