Vdekja e Diego Armando Maradonës mbetet e mbuluar nga paqartësitë, pavarësisht se kanë kaluar thuajse 6 vite.

Detaje të reja janë bërë publike gjatë gjyqit për ndarjen nga jeta të tij, teksa një mjek ligjor ka deklaruar se ish-ylli i futbollit kishte shfaqur disa shenja alarmante në ditët e tij të fundit.

Sipas mjekut ligjor Carlos Cassinelli, simptomat e shfaqura nga Maradona nuk u vlerësuan me kujdesin e nevojshëm nga stafi shëndetësor që e ndiqte në atë periudhë.

Sipas rindërtimit të mjekut ligjor, në ditët para vdekjes Maradona kishte shfaqur ënjtje në gjymtyrët e poshtme, gishta të fryrë, vështirësi në frymëmarrje, tension të lartë të gjakut dhe rrahje të përshpejtuara të zemrës.

Cassinelli argumentoi se një kombinim i tillë simptomash kërkonte vlerësim të menjëhershëm mjekësor.

Gjendja e Maradonës u përkeqësua edhe më tej pas daljes nga spitali.

Ai vlerësoi se vazhdimi i trajtimit në banesë nuk ishte zgjedhja e duhur, pasi gjendja e ish-futbollistit kërkonte monitorim të vazhdueshëm dhe një nivel tjetër kujdesi mjekësor.

Një tjetër pretendim i bërë gjatë procesit është se Maradona mund të ketë qenë në agoni për rreth 12 orë para se të ndërronte jetë.

Megjithatë, shtatë punonjësit shëndetësorë të përfshirë në çështje mohojnë përgjegjësinë dhe kundërshtojnë akuzat për neglizhencë.

Avokatët mbrojtës, argumentojnë se vdekja e Maradonës erdhi nga shkaqe natyrore dhe i referohet edhe historisë së tij të gjatë me probleme të lidhura me përdorimin e kokainës dhe alkoolit.

Tashmë, gjykata duhet të përcaktojë nëse shenjat klinike të shfaqura në ditët e fundit të jetës së Maradonës u nënvlerësuan dhe nëse një trajtim apo monitorim tjetër mjekësor mund të kishte ndikuar në fatin e legjendës së futbollit argjentinas.

Diego Armando Maradona humbi jetën në nëntor të vitit 2020 në moshën 60-vjeçare.

Klan News

/tvklan.al