Holanda mund të thyejë një tabu 48-vjeçare dhe këtë herë emri që po qarkullon në Amsterdam është i një trajneri spanjoll.

Roberto Martinez është kandidati surprizë për stolin e “Tulipanëve”, në një lëvizje që, nëse konkretizohet, do të ishte historike për futbollin holandez.

Ish-trajneri i Portugalisë raportohet se ka zhvilluar bisedime me drejtuesin teknik të federatës, Nigel de Jong, ndërsa Holanda kërkon pasuesin e Ronald Koeman. 

Tekniku 53-vjeçar aktualisht është pa skuadër, pasi u largua nga drejtimi i Portugalisë pas eliminimit nga Spanja në Kupën e Botës.

Portugalia u mposht 1-0 në fazën e 1/16-ve, duke i dhënë fund aventurës së Martinez në stolin e luzitanëve.

Holanda gjithashtu është në kërkim të një trajneri të ri pas largimit të Ronald Koeman, i cili mbylli periudhën e tij trevjeçare e gjysmë në krye të kombëtares pas eliminimit me penallti ndaj Marokut.

Trajneri spanjoll më parë është lidhur edhe me stolin e Skocisë, por tashmë Holanda duket se mund të jetë destinacioni i tij i radhës.

Në garë për postin kishin qenë edhe emra të njohur si Arne Slot, Erik ten Hag dhe Peter Bosz, por të tre raportohet se kanë refuzuar mundësinë për të marrë drejtimin e Holandës.

Slot ka bërë të ditur se për momentin preferon të vijojë karrierën në futbollin e klubeve, ndërsa pavarësisht dëshirës së shprehur publikisht nga Louis van Gaal për të drejtuar për herë të katërt Holandën, federata nuk e ka kontaktuar.

Nëse Martinez emërohet, do të ishte një vendim historik. Ernst Happel, austriaku që drejtoi Holandën nga viti 1977 deri në vitin 1978, është trajneri i fundit jo-holandez që ka qenë në stolin e kombëtares.

Martinez sjell me vete një eksperiencë të konsiderueshme në futbollin ndërkombëtar.

Ai drejtoi Belgjikën për gjashtë vite e gjysmë dhe e çoi atë deri në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2018.

Më pas, në krye të Portugalisë, ai fitoi Nations League në vitin 2025, përpara se të largohej pas Botërorit.

Klan News

/tvklan.al