Gjykata e Shkodrës ka dhënë vendimin për tre të pandehurit, e akuzuar për konfliktin e ndodhur më 3 qershor të vitit 2024, ku u godit me sende të forta një 62 vjeçar i quajtur Vladimir Bruçi.

Sipas vendimit, I.Z u shpall fajtor për veprat penale: “Prishja e qetësisë publike”, të kryer në bashkëpunim, dhe për “Prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Gazetarja e Klan News Glidona Daci raporton se për këto akuza, I.Z u dënua fillimisht me 4 vite burgim, pas bashkimit të dënimeve. Me aplikimin e gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul me një të tretën, duke u konvertuar në 2 vite e 8 muaj burgim.

Ndërkohë, ai u shpall i pafajshëm për akuzën e “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Edhe S.T dhe A.K u shpallën fajtorë për “Prishjen e qetësisë publike”, të kryer në bashkëpunim, dhe u dënuan fillimisht me nga 2 vite burgim secili.

Pas uljes së dënimit me një të tretën, në kuadër të gjykimit të shkurtuar, secili prej tyre do të vuajë nga 16 muaj burgim. Të dy u shpallën të pafajshëm për akuzat që lidhen me armëmbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve dhe municioneve.

Tre personat ishin të dyshuar gjithashtu për ngjarjen e 3 qeshorit 2024 për dyshimet për dhunë ndaj Vladimir Brucit.

/tvklan.al