Shifra alarmante publikohen për dhunën tek gratë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Sipas tyre 70% e grave në mbarë botën janë objekt dhune të paktën 1 herë. Dhuna ndaj grave mbetet kështu një prej fenomeneve sociale më shqetësuese në botë. Në Shqipëri numri i denoncimeve rritet nga viti në vit. Vetëm gjatë vitit 211 janë raportuar 2029 raste, një shifër e publikuar në një konferencë të posaçme nga Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Spiro Ksera: “Ju vërejmë se në 11 mujorin e vitit 2011 numri i denoncimeve është rritur duke arritur në 2029 nga 1998 denoncime  të regjistruara një vit më parë. Qendra Kombëtare për Viktimat e Dhunës në Familje funksionon dhe në të trajtohen dhe marrin shërbime viktimat e dhunës në familje nga i gjithë vendi. Nga Prilli e deri më tani, qendra ka pritur 20 gra së bashku me fëmijët e tyre.”

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli kërkoi në këtë konferencë që të gjitha institucionet të bashkëpunojnë për parandalimin e këtij fenomeni.

Jozefina Topalli: “Ne duhet të kemi një betejë në të cilën do vendosim si objektiv tolerancë zero. Kjo kërkon vullnet për ndryshim, kërkon kontribut, investim në të gjitha format, përfshirë edhe atë financiar. Parandalimi i dhunës, mbrojtja e viktimave dhe ndëshkimi i keqbërësve, veprimi kundrejt çdo forme dhunë dhe dhënies fund të mosndëshkimit të keqbërësve, konveprimin e të gjithë aktorëve. Bashkëpunim, bashkëveprim. Shteti duhet të penalizojë dhe të procedojë aktet e dhunës kundër gruas si akte shumë të ndëshkueshme. Kjo duhet të shkojë dorë më dorë me veprimtarinë parandaluese.”

Duke e cilësuar dhunën në familje një krim, edhe qeveria shqiptare do të nënshkruajë në datë 19 Dhjetor në Këshillin e Europës, konventën për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e cila më pas do të ratifikohet në Kuvend në vitin 2012./tvklan.al

/tvklan.al