Sulejman Demollari ishte i ftuari special i Dinamos së Bukureshtit. Ish-lojtari i Kombëtares u duartrokit nga tifozët në stadium, teksa tregoi emocionet e rikthimit në skuadrën ku bëri histori.

Demollari ngriti në këmbë stadiumin e Dinamos së Bukureshtit përpara ndeshjes që këta të fundit zhvilluan në kampionatin rumun kundër Kluzhit. I ftuar nga drejtuesit e klubit, teksa është duke xhiruar një dokumentar për jetën dhe karrierën e tij, legjenda e futbollit shqiptar nisi ndeshjen në mënyrë simbolike.

“Rikthehem në Rumani pas shumë vitesh. Ishte një emocion i madh për mua. Kam kaluar vite të arta këtu dhe vazhdoj ende t’i ndjek ndeshjet e Dinamos. Tifozët më kanë respektuar gjithmonë dhe unë kam një admirim për ta”.

61-vjeçari ishte lojtari i parë i huaj që bëri histori në Rumani, teksa në 4 sezonet që u aktivizua me Dinamon e Bukureshtit arriti të shënonte 36 gola në 100 ndeshje, duke fituar gjithashtu edhe titullin kampion. Demollari është shpallur lojtari i huaj më i mirë që ka mbajtur veshur fanellën e skuadrës nga Rumania.

Tv Klan

/tvklan.al