Në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, u prezantuan dy projektligje të rëndësishme për ”Shërbimin Veterinar” dhe ligjin e “Peshkimit”. Sipas Ministres së Bujqësisë, Anila Denaj projektligji i parë ka të bëjë edhe me sigurinë ushqimore.

Edhe projektligji për peshkimin sipas Denajt është tepër i rëndësishëm pasi i jep një tjetër dimension zhvillimit të këtij sektori duke kontribuar pozitivisht në ekonomi.

“Në fund të vitit 2023 vlera e eksporteve të produkteve të peshkut shkoi në 144 milionë euro ndaj 137 milionë që ishte një vit më parë. Kemi një flotë me 811 mjete dhe mundësia e këtij ligji mbështet jo vetëm rinovimin e flotës për zgjerimin e aktivitetit të peshkimit por edhe zgjerimin e aktivitetit”, tha Denaj.

Lidhur me buxhetin dhe fondet për Ministrinë e Bujqësisë, Denaj dha këtë përgjigje.

“Nuk ka patur tkurrje, por shtim të fondeve dhe rishpërndarje të tyre”.

Denaj nënvizoi se fokusi i qeverisë është mbështetja 100% e fermerëve, të cilët janë brenda bashkimit të operatorëve dhe mbështetja për ta në masën 100% ka filluar të disbursohet.

Klan News