Letra e publikuar nga kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj, nëpërmjet të cilës, tregonte bisedën me ministrin e Drejtësisë Toni Gogu, u diskutua të martën edhe në komisionet parlamentare.

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se deklaratat e Veliajt tregojnë se kryeministri po përdor institucionet e drejtësisë për të goditur kundërshtarët e tij politik.

“Këto konkretizohen tek ata pak rreshta të ditarit të Veliajt, që kryeministri është në gjendje të urdhërojë prokurorinë dhe gjykatën se si të dënojë kundërshtarët. Ajo letër grisi edhe SPAK-un, edhe GJKKO-në. Ata mund të dalin me deklaratë dhe të thonë që ato që thotë Veliaj janë të pavërteta, ai nuk ka kuptuar se çfarë ka bërë reforma në drejtësi. Praktikisht, edhe ai, edhe ish-shefi i tij e kanë kuptuar se çfarë është reforma në drejtësi. Produkti është ky: SPAK-u, me urdhër të tij, t’i rrisë akuzat dhe GJKKO-ja ta kalbë në burg”, tha deputeti i PD, Oerd Bylykbashi.

Akuzat e opozitës u hodhën poshtë nga kryetari i komisionit të ligjeve, Ulsi Manja, i cili tha se është pikërisht mazhoranca ajo që ka investuar në pavaresinë e drejtësisë.

“Nuk është risi kjo që bëri Bylykbashi, është pjesë e një skenari të përditshëm që ka opozita, e cila, në vend të ishte alternativë e qeverisjes, është kthyer në zëdhënëse të aktualitetit të përditshëm politik e shoqëror shqiptar. Nuk jemi ne një pushtet që mund të urdhërojmë një institucion të pavarur se si të bëjë detyrën e vet. Këtë e kemi zgjedhur në 2016. Në 2016, përfundimisht, kjo tryezë i hoqi duart nga drejtësia”, tha Manja.  

Edhe jashtë kryesisë së Kuvendit, deputetët socialistë u treguan të rezervuar për të komentuar letrën e Veliajt.

Të hënën, përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj tha se i është kërkuar nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Kjo kërkesë sipas tij ka ardhur për shkak të dyshimeve se ai është përfshirë në protesta, gjë të cilën Veliaj e mohon.

/tvklan.al