Kryeministri Edi Rama, ndodhej këtë të mërkurë (22 prill) në Greqi, ku u takua dhe me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis.
Qeveria greke ka ndarë pak nga bisedimet e zhvilluara midis dy krerëve, që u mbajtën në Pallatin Maximos.
Fokusi i diskutimeve të tyre ishin bashkëpunimi mes shteteve dhe mbështetja e Shqipërisë për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
“Është gjithmonë kënaqësi t’ju mirëpres në Athinë, i dashur Edi, me rastin e pjesëmarrjes suaj në Forumin Ekonomik Delphi. Është gjithmonë mirë të na jepet mundësia të vlerësojmë progresin e rëndësishëm që kemi bërë në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme në rrugën e vështirë që keni ndjekur drejt Bashkimit Evropian. Megjithatë, besoj se ende kemi një mundësi të rëndësishme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura që kanë të bëjnë me marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për të vendosur miqësi të vërtetë midis dy popujve tanë. Prandaj, është një mundësi e shkëlqyer për t’ju mirëpritur përsëri në Athinë, dhe e di që ju vërtet e shijoni ardhjen këtu”, u shpreh Mitsotakis.
Rama e falenderoi për pritjen, teksa shtoi se Shqipëria është “e etur” për përfundimin e një dokumenti partneriteti strategjik midis dy vendeve.
“Faleminderit shumë. Dhe, për t’ju thënë të vërtetën, ndihem i lehtësuar që ajo që duhej të lihej në të kaluarën, ka mbetur në të kaluarën, sepse kjo më jep mundësinë të vij më shpesh në vendin tuaj të bukur, të cilin e dua. Ndërkohë, dua t’ju falënderoj sinqerisht për mbështetjen. E vlerësojmë shumë. Dhe, po, jemi shumë të etur të vazhdojmë dhe të përfundojmë atë për të cilën kemi rënë dakord së bashku, një dokument të guximshëm partneriteti strategjik ku të gjitha çështjet adresohen dhe nuk ka më çështje të pazgjidhura midis nesh, ndërsa duam të bashkohemi me Bashkimin Evropian dhe ta bëjmë këtë rajon shumë më të rëndësishëm edhe në këtë nivel. Përsëri, shumë faleminderit, z. Kryeministër”, tha Rama.
Takimi nuk kaloi pa batuta të lehta, pasi kreu i qeverisë i kërkoi ndjesë Mitsotakis për veshjen e tij jo zyrtare. Kryeministri grek shtoi se i pëlqen mënyra e veshjes së Ramës, duke e cilësuar si inovative
Edi Rama: Është një nder të jem këtu dhe kërkoj ndjesë që nuk u vesha aq zyrtarisht sa ju, sepse nuk e prisja një pritje të tillë. Prandaj shpresoj që media greke të mos e perceptojë ndryshe, përveçse si mungesë informacioni të mirë nga protokolli im.
Kyriakos Mitsotakis: Ne e pranojmë që ju jeni gjithmonë shumë inovativ në mënyrën se si visheni, dhe kjo na pëlqen.
/tvklan.al












Botërori 2026 
