Kryeministri Edi Rama është takuar mëngjesin e kësaj të mërkure, më 22 prill, me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë vizitës së tij në shtetin fqinj, ku pritet të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Delphi-t.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Rama shprehet se po punon me homologun grek për të zgjidhur çështjet e mbartura mes dy vendeve, ndërsa shton se këtë vit do të dalin me një marrëveshje të re partneriteti.
“Me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona dhe për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri. Përgjatë kësaj rruge jo vetëm momentet më të mira, po edhe ato më të vështirat janë karakterizuar gjithnjë nga komunikimi plot respekt e pa dorashka, ndërkohë që po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik”, shkruan Rama.







Ky takim mes dy liderëve vjen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy vendeve për të avancuar në çështjet me interes të përbashkët, që nga bashkëpunimi ekonomik, integrimi europian, kufinjtë detar apo edhe të drejtat e minoriteteve.
Sjellim ndërmend se kryeministri Edi Rama udhëtoi drejt Greqisë pasditen e djeshme, pasi do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Delphi-t.
Ky forum mbledh lider politikë e ekonomikë si dhe ekspertë nga vende të ndryshme për të diskutuar mbi zhvillimet globale dhe rajonale. Rama do të mbajë edhe një fjalim pasditen e sotme.












Botërori 2026 