Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se Bordi i Paqes (Board of Peace) ka arritur një marrëveshje me Hamasin për çarmatimin e organizatës dhe transferimin e kompetencave civile e të sigurisë tek një strukturë e re teknokratike që do të administrojë Rripin e Gazës.

Sipas njoftimit të Trump në platformën Truth Social, marrëveshja bazohet në parimin “një autoritet, një ligj dhe një mbajtës i së drejtës për armë”. Administrata e re do të quhet Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG).

Dy zyrtarë të lartë amerikanë kanë deklaruar se marrëveshja është arritur pas muajsh negociatash të ndërlikuara, ku ndërmjetësues kanë qenë Katari, Turqia dhe Egjipti. Sipas tyre, Hamasi ka dhënë miratimin përmes një ndërmjetësi.

Megjithatë, pavarësisht optimizmit të Uashingtonit, marrëveshja përballet ende me pengesa të mëdha. Izraeli mbetet skeptik për gatishmërinë e Hamasit për të dorëzuar armët, ndërsa grupi palestinez kundërshton renditjen e hapave, duke kërkuar që tërheqja e forcave izraelite nga Gaza të ndodhë përpara çarmatimit.

Procesi pritet të nisë brenda 14 ditëve nga arritja e marrëveshjes dhe do të zhvillohet në disa faza. Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se përfundimi i plotë i zbatimit mund të zgjasë rreth 200 deri në 250 ditë, por kanë theksuar se më e rëndësishme do të jetë respektimi i kontrolleve dhe verifikimeve gjatë çdo etape.

Sipas planit, Hamasi do të heqë dorë nga çdo rol në qeverisjen e Gazës dhe do t’i dorëzojë armët NCAG-ut. Përpara çarmatimit të Hamasit, edhe grupet e tjera të armatosura në territor do të duhet të dorëzojnë armët.

Një zyrtar i Hamasit, Ghazi Hamad, ka konfirmuar se negociatat kanë prodhuar një marrëveshje, por ka theksuar se pala palestineze e interpreton ndryshe një pjesë të saj. Ai deklaroi se Hamasi nuk do të ndërmarrë hapa drejt çarmatimit pa një tërheqje të plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës.

Sipas planit amerikan, çarmatimi do të kryhet pa përfshirjen direkte të Izraelit. Procesi do të menaxhohet nga policia dhe forcat e lidhura me NCAG. Në dokumentin e marrëveshjes parashikohet një tërheqje graduale e forcave izraelite sipas një kalendari të përcaktuar.

SHBA ka pranuar gjithashtu se Izraeli ka rezerva të forta ndaj marrëveshjes. Zyrtarët amerikanë i kanë bërë thirrje qeverisë izraelite të zbatojë angazhimet e marra, duke paralajmëruar se dështimi për ta bërë këtë do të zhgënjente presidentin Trump.

Marrëveshja vjen në një periudhë të tensionuar në Lindjen e Mesme, ku konflikti me Iranin ka ndikuar në zhvillimet rajonale. Sipas burimeve amerikane, Teherani është përpjekur të bindë Hamasin që të refuzojë marrëveshjen, por përpjekjet nuk kanë rezultuar të suksesshme.

Plani amerikan parashikon gjithashtu një fazë të gjerë rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik në Gaza. Në fillim prioritet do të jetë ndihma humanitare dhe rindërtimi i infrastrukturës, ndërsa më pas priten investime ndërkombëtare për stabilizimin e territorit.

Në fazën e parë, Komiteti për Gazën (NCAG) do të ketë rol kyç në administrimin civil, sigurinë, trajnimin e policisë, menaxhimin e institucioneve publike dhe kontrollin e financave. Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar Palestinez nuk do të përfshihet në këtë strukturë dhe është ftuar të fokusohet në reformat e saj në Bregun Perëndimor.

/tvklan.al