Raportim Live

Zelensky largohet, Netanyahu mbërrin në Shtëpinë e Bardhë

Zelensky është larguar nga Shtëpia e Bardhë, kurse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu sapo ka mbërritur.

Netanyhu po takohet me Trumpin përpara se të tre udhëheqësit të shkojnë në funeralin e senatorit republikan amerikan Lindsey Graham.

Takimet e Zelenskyt dhe Netanyahut me Trump zhvillohen me dyer të mbyllura për mediat

Takimet e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë po zhvillohen me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave.

Zelensky ndodhet aktualisht në takim me Trump, ndërsa Netanyahu pritet të zhvillojë takimin e tij menjëherë pas përfundimit të këtij takimi.

Deri më tani, gazetarëve nuk u është lejuar hyrja në sallën ku po zhvillohen bisedimet, çka do të thotë se nuk ka ende informacion zyrtar mbi temat e diskutuara.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë në disa raste vendos në mënyrë spontane t’i hapë takimet për mediat. Nëse kjo ndodh ose publikohen detaje nga bisedimet, ato pritet të bëhen të ditura menjëherë.

download app

Takimet Trump-Zelensky ndër vite: Nga përplasjet në Shtëpinë e Bardhë te premtimet

Teksa dy liderët botërorë po zhvillojnë një takim në Shtëpinë e Bardhë, përpara ceremonisë përkujtimore për senatorin Lindsey Graham në Kapitolin Amerikan, ja një përmbledhje e takimeve të mëparshme mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Shkurt 2025
Një takim i tensionuar në Zyrën Ovale u shndërrua në një përplasje të ashpër verbale, ku Donald Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance kritikuan Zelenskyn, duke i thënë se ai “nuk ka asnjë kartë në dorë”. Takimi përfundoi pa nënshkrimin e marrëveshjes për mineralet, që ishte planifikuar nga të dyja palët, si edhe pa përparim të rëndësishëm drejt një marrëveshjeje paqeje.

Prill 2025
Trump dhe Zelensky zhvilluan një takim kokë më kokë për rreth 15 minuta në Bazilikën e Shën Pjetrit, përpara funeralit të Papa Françeskut. Ishte takimi i parë mes tyre që nga përplasja e shkurtit. Zelensky e cilësoi atë si “takimin më të mirë” që kishte pasur me Trump, duke deklaruar se diskutuan për një armëpushim të plotë dhe një paqe të qëndrueshme. (Lexo më shumë)

Në çfarë faze janë negociatat e paqes në luftën Rusi-Ukrainë? 

Shtetet e Bashkuara kanë vepruar si ndërmjetës në negociatat për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, por nuk është bërë shumë përparim gjatë gjashtë muajve të fundit.

Bisedimet e fundit trilaterale, të cilat përfunduan në fillim të shkurtit në Abu Dhabi, nuk sollën marrëveshje të rëndësishme përtej shkëmbimit të të burgosurve dhe një zotimi për të mbajtur takime të tjera. Që atëherë, fokusi i SHBA-ve është zhvendosur tek lufta e saj me Iranin, e cila filloi më 28 shkurt.

Megjithatë, Trump dhe Zelensky folën në samitin e NATO-s në Ankara, Turqi, më 8 korrik, dhe jo vetëm që toni dukej pozitiv, por Trump u angazhua publikisht të lejojë Ukrainën të ndërtojë raketat e saj interceptore Patriot, gjë që mund ta ndihmojë vendin të mbrohet nga sulmet raketore ruse.

Zelensky mbërrin në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë përpara ndalesës së tij të radhës në funeralin e senatorit Lindsey Graham.

Ai mbërrin me shpresën se mes takimit me Trump dhe më vonë me anëtarët e Kongresit, mund të ringjallë mbështetjen e SHBA-ve për Ukrainën.

Graham po udhëhiqte përpjekjen për të miratuar sanksione shtesë kundër Rusisë përpara vdekjes. Zelensky do të kërkojë të mbajë gjallë vrullin pas këtij angazhimi.

Pse Zelensky dhe Netanyahu ndodhen në Washington

Netanyahu dhe Zelensky ndodhen sot në Washington DC kryesisht për të marrë pjesë në funeralin e senatorit republikan amerikan Lindsey Graham.

Graham, i cili vdiq më 11 korrik në moshën 71-vjeçare, ishte një mbështetës i vendosur dhe i zëshëm i marrëdhënies së SHBA-ve si me Ukrainën, ashtu edhe me Izraelin.

Senatori republikan vdiq një ditë pasi ishte kthyer nga një udhëtim në Kiev.

Graham kishte lobuar për ndihmë shtesë ushtarake për Ukrainën dhe kishte udhëtuar në vend 10 herë. Ai vdiq pak pasi kishte shpallur mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë për një projektligj dypartiak që ai udhëhiqte mbi sanksionet ndaj Rusisë.

Gjatë karrierës së tij, Graham kishte qenë gjithashtu një mbështetës i hapur i Izraelit dhe një aleat i ngushtë i Netanyahut. Ai shpesh kishte kërkuar më shumë ndihmë ushtarake për Izraelin, kishte mbrojtur luftën e Izraelit në Gaza dhe kishte kundërshtuar Iranin.

“Do të qëndroj me Izraelin deri ditën që të vdes. Është aleati ynë më i madh”, i tha Graham gazetës The Jerusalem Post vetëm disa muaj më parë.

Shërbimi kryesor i funeralit për Graham do të zhvillohet në Katedralen Kombëtare të Washington-it, ku presidenti Donald Trump do të mbajë një fjalim. Do të ketë gjithashtu një ceremoni homazhi në Kapitol.

Tensionet Netanyahu-Trump

Izraeli dhe SHBA kanë qenë prej kohësh aleatë të ngushtë, por vizita e kryeministrit Benjamin Netanyahu sot në Washington vjen mes marrëdhënieve jashtëzakonisht të tensionuara mes dy vendeve.

Netanyahu e ka komplikuar përpjekjen e administratës Trump për t’i dhënë fund luftës me Iranin, përfshirë më herët këtë vit kur një sulm izraelit ndaj Libanit prishi bisedimet mes Washington-it dhe Teheranit. Trump i kërkoi Netanyahut të tërhiqej, ndërsa zëvendëspresidenti JD Vance ka qenë gjithashtu kritik ndaj qasjes së Izraelit në luftën e tij me Libanin.

Trump dhe Netanyahu ka gjasa të paraqiten me një front të bashkuar, të paktën publikisht, gjatë vizitës së liderit izraelit në SHBA. Por një vizitë e vetme nuk do të zgjidhë muaj të tërë tensione dhe mosmarrëveshje mbi mënyrën e trajtimit të Teheranit.

Ditë intensive, Trump pritet të takohet me Netanyahun dhe Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë

Donald Trump do të presë Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë në orën 15:30 dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në orën 17:00.

Kryeministri i Izraelit mbërrin në Uashington, pritet takimi me Trumpin

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mbërritur në Uashington, ku do të marrë pjesë në funeralin e senatorit republikan Lindsey Graham, ndërsa më pas do të takohet me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

SHBA dhe Irani iu kthehen negociatave, Trump: Po zhvillojmë bisedime të mira

Presidenti Donald Trump tha të hënën se Shtetet e Bashkuara po zhvillonin “bisedime të mira” me Iranin dhe se ekzistonte mundësia për një marrëveshje mbi konfliktin e tyre, por paralajmëroi se sulmet ajrore amerikane do të rifillonin nëse negociatat nuk do të jepnin rezultate.

“Ata nuk do të kishin kërkuar takim nëse ne do të ishim duke bërë keq. Arsyeja e vetme që duan të takohen është sepse i kemi goditur shumë fort”, tha Trump.

Uashingtoni pezulloi papritur një fushatë dyjavore sulmesh ajrore kundër Iranit të shtunën, në kthesën e fundit strategjike të Trump në konfliktin pesëmujor.

Situata ishte e qetë deri këtë të hënë pasdite kur u raportuan sulme ndaj Arabisë Saudite, Jordanisë dhe Irakut.

Riadi tha se kishte rrëzuar dronë që synonin objektiva nafte të cilët ishin lëshuar nga Iraku nga milicia e mbështetur nga Irani dhe rezervoi të drejtën për t’u kundërpërgjigjur. (Lexo më shumë)