Klodiana Spahiu pritet të marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, pas dorëheqjes së Evis Salës, e cila njoftoi largimin nga detyra gjatë mbledhjes së qeverisë një ditë më parë.
Lajmin e bëri të ditur për tvklan.al, gazetarja e politikës në Tv Klan, Elja Zotka.
Emërimi i deputetes së PS, Klodiana Spahiu në postin e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, vjen pasi ditën e djeshme gjatë mbledhjes që kryeministri Edi Rama mbajti me ministrat dhe drejtuesit politike, Evis Sala dha dorëheqjen nga posti të cilin e mbajti për gati një vit.
Largimin nga drejtimi i dikasterit të Shëndetësisë, Sala ia ka njoftuar kryeministrit Edi Rama dy ditë para në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ndërsa dje mori pjesë në mbledhjen e fundit qeveritare si ministre.
Më vonë Sala konfirmoi se shkak për largimin nga detyra ishin bërë angazhimet ndërkombëtare në fushën e kërkimit shkencor. Ajo reagoi publikisht pas bërjes publike të lajmit duke falënderuar kryeministrin Edi Rama për mbështetjen.
Kush është Klodiana Spahiu, nga mjeke karriere në ministre të Shëndetësisë
Klodiana Spahiu ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, dega “Mjekësi e Përgjithshme” në vitin 1997. Më pas, në vitin 1998-2002 është specializuar në fushën e kardiologjisë, në po të njëjtin departament pranë QSUT-së “Nënë Tereza”, në Tiranë.
Ajo ka kryer një sërë specializimesh ndër vite, si në fushën e kardiologjisë joinvazive: ekokardiografi, PU-EKG, eko-doppler e karotideve, pranë Universitetit Katolik: “Sacro Cuore”, Facolta di Medicina e Chirurgia “Agostino Gemelli”, Romë, Itali.
Në 2003-2004 kreu studimet pasuniversitare pranë Fakultetit të Mjekësisë, Departamenti i Lëndëve Paraklinike. Gjatë periudhës tetor 2005 – dhjetor 2005 ka kryer specializim në fushën e kardiologjisë invazive, kateterizimi i zemrës dhe koronarografinë e zemrës, pranë spitalit “Santa Chiara”, Pisa, Itali.
Vite me vonë, 2012-2014 ajo ka përfunduar edhe masterin profesional “për menaxhimin shëndetësor”
Spahiu ka ushtruar profesionin e mjekut në klinikën e parë të kardiologjisë në QSUT. Gjithashtu, ajo ka punuar si mjeke kardiologe dhe në repartin e patologjisë në spitalin e Durrësit gjatë viteve 2003-2009. Më pas është zgjedhur dhe drejtoreshë e këtij spitali.
Ajo ka një përvojë të gjatë edhe në fushën e pedagogjisë. Në vitin 2002-2003 ka qenë pedagoge në Departamentin e Lëndëve Paraklinike, Universiteti i Tiranës dhe në 2006 ka qenë pedagoge e jashtme në lëndën e fiziologjisë në Universitetin “UFO”, Tiranë.
Viti 2008 dhe në vazhdim – Docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”, Tiranë. Ajo mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.












Botërori 2026 
