Pas një sulmi me dron të ushtrisë ruse që ka prekur territorin e saj, Polonia ka vendosur të aktivizojë nenin 4 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, i cili parashikon konsultime mes aleatëve kur ndonjë vend anëtar ndjen se kërcënohet siguria e tij. Ky është një hap i rëndësishëm që, në varësi të zhvillimeve, mund të çojë edhe në aktivizimin e nenit 5, që konsideron një sulm ndaj njërit si sulm ndaj të gjithëve dhe mund të sjellë një reagim ushtarak të përbashkët.
Çfarë janë nenet 4 dhe 5 të NATO-s?
Këto dy nene përbëjnë bazën e funksionimit të NATO-s në rast të kërcënimeve ose sulmeve ushtarake: Neni 4 lejon vendet anëtare të kërkojnë konsultime kur kërcënohet integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e njërit prej tyre edhe në mungesë të një sulmi të drejtpërdrejtë. Deri më sot, ky nen është aktivizuar pesë herë: katër herë nga Turqia dhe një herë nga Polonia në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.
Neni 5, i njohur si “zemra e NATO-s”, deklaron se një sulm i armatosur ndaj një vendi anëtar në Europë apo Amerikën e Veriut do të konsiderohet si sulm ndaj të gjithë aleancës. Çdo vend anëtar, në përputhje me nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë vendin e sulmuar me masa që i konsideron të nevojshme, përfshirë edhe përdorimin e forcës ushtarake.
Megjithatë, aktivizimi i nenit 5 nuk nënkupton automatikisht hyrje në luftë nga të gjitha vendet anëtare. Çdo shtet ka të drejtën të vendosë në mënyrë sovrane, zakonisht pas miratimit parlamentar, nëse dhe si do të kontribuojë. Ky nen ka qenë aktivizuar vetëm një herë në historinë e NATO-s, më 11 shtator 2001, pas sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara.
NATO, një aleancë në zgjerim
Traktati i Atlantikut të Veriut, i nënshkruar në vitin 1949 në Uashington, përbëhet nga 14 nene. NATO fillimisht u themelua nga 12 shtete: SHBA, Kanadaja, Italia, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Belgjika, Luksemburgu, Holanda, Portugalia, Norvegjia dhe Islanda.
Sot, organizata ka 32 vende anëtare, përfshirë Finlandën dhe Suedinë, të cilat u bashkuan pas nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës, në kërkim të një ombrelle mbrojtjeje kundër kërcënimeve nga Moska.
Qëllimi fillestar i NATO-s ishte të frenonte ambiciet ekspansioniste të Bashkimit Sovjetik dhe të garantonte sigurinë e Europës Perëndimore. Me kalimin e kohës, misioni i saj është zhvilluar për të përfshirë parandalimin, mbrojtjen, menaxhimin e krizave dhe bashkëpunimin për sigurinë.
Vendimmarrja në NATO
Organizmi më i lartë vendimmarrës i NATO-s është Këshilli i Atlantikut të Veriut, që drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm aktualisht ish-kryeministri holandez Mark Rutte dhe ka selinë në Bruksel. Çdo vend anëtar ka përfaqësuesin e tij në këtë këshill dhe vendimet merren me konsensus./tvklan.al












Botërori 2026 
