Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar Departamentin e Drejtësisë të nisë një hetim ndaj demokratëve, të cilët i akuzon se kanë kërcënuar zyrtarë republikanë me procedura shkarkimi dhe forma të tjera ndëshkimi pas fitores së tyre në zgjedhjet e mesmandatit. Deklarata e Trump vjen një ditë pas emërimit të Stephen Miller në postin e ri të shefit të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra ndaj demokratëve.
Në një postim të gjatë në rrjetin e tij social Truth Social, Trump pretendoi se demokratët po kërcënojnë disa persona, mes tyre edhe Prokuroren e Përgjithshme të SHBA-së, duke paralajmëruar nisjen e procedurave për shkarkimin e tyre dhe masa të tjera ndëshkuese, megjithëse, sipas tij, nuk kanë asnjë bazë për këto veprime.
“Demokratët po kërcënojnë shumë persona, përfshirë Prokuroren e Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara dhe të tjerë, duke paralajmëruar shkarkimin dhe forma të ndryshme ndëshkimi, ndërkohë që pranojnë se nuk kanë asnjë arsye për ta bërë këtë”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan vijoi me akuza ndaj demokratëve, duke pretenduar se ata kanë dërguar letra kërcënuese ndaj një numri të madh përfaqësuesish politikë. Sipas tij, këto veprime përbëjnë një formë shantazhi dhe përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.
“Ky është shantazh në nivelet më të larta dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi. Për më tepër, ata po kërcënojnë edhe donatorët tanë, disa nga njerëzit më të respektuar në botë, duke u përmendur burgimin dhe forma të tjera ndëshkimi vetëm sepse janë republikanë ose mbështetës të Partisë Republikane”, deklaroi ai.
Trump veçoi edhe senatoren demokrate të Miçiganit, Elissa Slotkin, të cilën e akuzoi se synon të godasë të rinjtë që mbështesin vlerat republikane ose që shfaqin prirje drejt Partisë Republikane.
Në fund të reagimit, presidenti amerikan i cilësoi demokratët si shantazhues dhe deklaroi se ata duhet të përfundojnë në burg. Ndërkohë, ai u bëri thirrje republikanëve të reagojnë më shpejt dhe të mos qëndrojnë pasivë.
Emërimi i Stephen Miller, i cili më parë i ka cilësuar anëtarët e Partisë Demokratike si “terroristë”, dhe urdhri i fundit i Trump për hetimin e tyre sinjalizojnë se presidenti synon të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj kundërshtarëve politikë gjatë dy viteve të ardhshme.
/tvklan.al












Botërori 2026 
