4 nëntor 2026 – Avokati i Igli Tares, Bledar Dervishaj, në lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Opinion”, në Tv Klan, ka sqaruar përse drejtuesi sportiv përmendet te dosja në Prokurorinë e Posaçme ndaj ish-numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku.
Ai sqaroi se dy familjet, Tare dhe Balluku, kanë vite miqësi dhe, për këtë arsye, vila e drejtuesit sportiv i është lënë në përdorim ish-ministres.
“Ishin dy familjet, duhet thënë kjo, zoti Fevziu, dy familjet Tare dhe Balluku kanë një njohje familjare prej vitit 1960-1970 midis baballarëve të tyre dhe vetë zoti Igli Tare dhe zonja Belinda Balluku kanë mbaruar studimet e mesme bashkë, njihen me njëri-tjetrin, kanë një miqësi të ngushtë të zgjatur në vite që prej vitit 1988. Dhe për shkak të kësaj njohjeje i është lënë zonjës Balluku në përdorim kjo vilë”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Dervishaj theksoi se nuk duhet të ketë dyshime mbi pronësinë e objektit në fjalë, pasi Tare i ka porositur këto me kontrata noteriale dhe i ka paguar përmes shërbimit bankar nga llogaria e tij.
“Igli Tare ka zgjedhur që të mos jetë publik për këtë çështje dhe ka respektuar ftesën tuaj dhe më lejo ta shpjegoj unë me dy fjalë, pa u hapur në detaje të forta. Igli Tare, pronësia e tij nuk mund të vihet në diskutim mbi këto dy pasuri të paluajtshme, të cilat janë një apartament 103 m² në Dhërmi, ajo që njihet si White Rock, fshati turistik, po, dhe një vilë, dy vila të blera prej tij në Green Coast, në Palasë. Igli Tare i ka porositur këto me kontrata noteriale, i ka paguar përmes shërbimit bankar nga llogaria e tij dhe tashmë vila në Palasë rezulton e regjistruar në pronësi të tij, vila në Green Coast në Dhërmi ende jo për shkak të një problemi që ka lidhje me ndërtimin e një pishine në mes, edhe mospagesës së kësteve të plota nga zoti Tare. Kjo është fabula”, u shpreh ai.
Kujtojmë se ish-numri dy i qeverisë, Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) më 11 korrik. Hetimet për çështjen në ngarkim të saj u mbyllën më 28 tetor.
Ndaj Ballukut rëndojnë pesë akuza për 15 episodesh krime, konkretisht “Shkelje e barazisë në tendera” në 9 raste, “Korrupsion pasiv të funksionarëve publikë”, “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë”, “Fshehje e pasurisë” në dy raste dhe “Pastrim parash” në dy raste.
Sipas SPAK, Balluku ka paracaktuar tenderët për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, 7 lotet e Unazës së Madhe dhe një tender nga Albcontrol që kapin vlerën e 1.2 miliardë eurove. Hetimet thonë se në favor të këtyre tenderave, Belinda Balluku ka përfituar dhe dy vila në Dhërmi dhe në Palasë.
/tvklan.al












Botërori 2026 