Dy duelet e vlefshme për javën e 11-të në Kategorinë e Parë kanë prodhuar përmbysje spektakolare dhe ndryshime në kreun e renditjes.
Iliria pësoi një disfatë 2-1 në transfertë ndaj Besëlidhjes, ndonëse e mbylli pjesën e parë në avantazh falë golit të James Adeniyi në minutën e 44-t.
Momenti vendimtar i sfidës në Lezhë erdhi në minutën e 60-të, kur Brajan Selmani u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Ilirinë me 10 lojtarë në fushë.
Besëlidhja përfitoi menjëherë nga epërsia numerike dhe barazoi shifrat me Ogunbire në minutën e 69-të, përpara se Ardit Hila të shënonte golin e fitores në kohën shtesë.
Falë këtij suksesi, lezhjanët ngjiten në vendin e gjashtë me 17 pikë, ndërsa Iliria humbet kreun dhe zbret në vendin e dytë me 21 pikë të grumbulluara.
Nga kjo humbje përfitoi Besa, e cila mori kryesimin po me 21 pikë pas fitores 1-2 me përmbysje në transfertë ndaj Kastriotit.
Krutanët kaluan në avantazh që në minutën e parë të takimit me anë të Beshirajt, por verdhezinjtë reaguan dhe rivendosën baraspeshën në minutën e 31-të falë golit të Markut.
Kur dukej se takimi po shkonte drejt ndarjes së pikëve, Danaj realizoi golin e fitores në shtesë, duke i dhuruar skuadrës kavajase tre pikë të arta dhe vendin e parë në tabelë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
