Miratohen aktet për përshpejtimin e procedurave të projektit

Procesi i rindërtimit të banesave të shkatërruara nga tërmeti do të përfundojë brenda dy viteve të ardhshme. Komisioni i Ekonomisë votoi dy akte normative të cilat i hapin rrugë riparimeve dhe ndërtimit të shtëpive të dëmtuara, duke lehtësuar procedurat për zbatimin e projekteve si për qeverinë edhe për ato që do të realizohen nga donatorët.

Arben Ahmetaj kërkoi që ekspertët dhe bashkitë të tregojnë përgjegjshmëri dhe profesionalitet në momentin që bëjnë ekspertimin dhe të mos nxitohen për të shpallur çdo objekt të pabanueshëm.

Deputetët miratuan edhe aktin normativ për përfitimin e bonuseve të qirave për familjet që kanë mbetur pa shtëpi deri në momentin e rindërtimit të tyre. Për herë të parë lejohet që bonusi të tërhiqet pa çuar në bashki kontratën e qirasë.

Bonusi i qirasë do të jepet edhe për banorët shtëpitë e të cilëve kanë nevojë për riparim deri në momentin që ekspertët e miratojnë objektin të parrezikshëm për të jetuar.

Paketa ligjore do të miratohet e plotë ditën e mërkurë në seancë plenare, për t’i hapur tërësisht rrugë programit të rindërtimit, i cili do të zbatohet nga Arben Ahmetaj pasi të votohet si Ministër Shteti nga Parlamenti.

Tv Klan