Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi Programin Kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një instrument i ri financiar i Qeverisë Shqiptare që synon të lehtësojë aksesin e bizneseve në financim dhe të mbështesë investimet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Në ceremoninë e prezantimit morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ministra të kabinetit,  përfaqësues të Shoqatës Shqiptare të Bankave, sistemit bankar, komunitetit të biznesit dhe shoqatave të sipërmarrjes.

Ministrja Ibrahimaj  në fjalën e saj, tha se programi buron nga vizioni i qeverisë për të forcuar sipërmarrjen shqiptare dhe për ta orientuar atë drejt investimeve që rrisin produktivitetin dhe konkurrueshmërinë.

“Ky program është iniciuar nga vullneti ynë, nga vizioni ynë për të dyfishuar sipërmarrjen shqiptare, që është zemra e ekonomisë shqiptare, jo vetëm në përmasa, por në cilësi, në eficiencë, në produktivitet, sepse ne besojmë fort se vetëm nëpërmjet investimeve mund ta zgjerojmë ekonominë tonë dhe mund ta mbajmë ritmin e rritjes në nivelet që kemi pasur në vitet e fundit”, theksoi ministrja.

Ministrja u ndal edhe te ecuria e ekonomisë shqiptare, duke theksuar se rritja ekonomike dhe shtimi i sipërmarrjeve të reja janë tregues të besimit të biznesit dhe të potencialit për zhvillim.

“Numrat e rritjes së sipërmarrjes na tregojnë që ka besim se ekonomia do të vazhdojë të rritet. Ka besim që ne do të vazhdojmë të mbështesim sipërmarrjen. Ka potencial për të rritur punësimin, ka potencial për të rritur të ardhurat dhe ka vizion për të arritur tregj”, u shpreh Ibrahimaj.

Sipas ministres, Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” është hartuar pas konsultimeve me komunitetin e biznesit dhe adreson tre sfidat kryesore që sipërmarrjet hasin për të financuar investimet: normat e interesit, kërkesat për kolateral dhe aksesin në financim, veçanërisht për bizneset e vogla dhe të mesme.

“Programi është ndërtuar bazuar në nevojat e biznesit. Ne, në vitet e fundit, kemi parë një ekonomi e cila rritet me dinamizëm. Një ekonomi që është rritur mesatarisht me 4% nga viti në vit. Një ekonomi në të cilën çdo vit numri i sipërmarrjeve rritet me norma dyshifrore. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit ne kemi rreth 12.000 sipërmarrje të reja. Në vitin e kaluar kemi pasur 25.000 sipërmarrje të reja dhe këta numra nuk janë numra të ftohtë, të cilët tregojnë vetëm shifra makroekonomike”, deklaroi ministrja.

Ministrja theksoi se qeveria, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe sektorin bankar, ka ndërtuar një instrument që u jep sipërmarrjeve mundësinë të investojnë në teknologji, automatizim, inovacion, rritje të produktivitetit dhe zgjerim në tregjet ndërkombëtare.

Duke folur për rëndësinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, Ministrja Ibrahimaj theksoi se ato përbëjnë 99% të ndërmarrjeve aktive në Shqipëri, mbi 80% të punësimit dhe mbi 70% të vlerës së shtuar në ekonomi, ndaj mbështetja e tyre mbetet një prioritet i politikave ekonomike.

“Këto sipërmarrje janë dinamike, kanë dëshirë, kanë vullnet dhe tashmë kanë edhe financim”, deklaroi ministrja.

Programi ofron financim deri në 2 milionë euro, me maturitet deri në 10 vjet, normë interesi 2-3%, ndërsa Qeveria Shqiptare garanton deri në 70% të kolateralit, duke krijuar kushte më të favorshme për investimet e biznesit.

Ministrja Ibrahimaj u bëri thirrje sipërmarrjeve shqiptare të shfrytëzojnë këtë mundësi të re financimi.

“Uroj shumë që nga sot të gjitha bizneset, të cilat kanë shfaqur interes për këtë produkt, të drejtohen pranë sporteleve të bankave dhe të pyesin për programin ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’. Ne jemi këtu, së bashku me të gjithë partnerët, për të garantuar që ky produkt të jetë në dispozicion të çdo sipërmarrjeje që dëshiron të investojë dhe të rritet”, tha ministrja Ibrahimaj.

Fjala e plotë e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj gjatë ceremonisë së prezantimit të Programit Kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.

Sot ne lançojmë programin për të cilin kemi biseduar së bashku në kohë të ndryshme, “Dyfisho sipërmarrjen tënde”. Ky program është iniciuar nga vullneti ynë, nga vizioni ynë për të dyfishuar sipërmarrjen shqiptare, që është zemra e ekonomisë shqiptare, jo vetëm në përmasa, por në cilësi, në eficiencë, në produktivitet, sepse ne besojmë fort se vetëm nëpërmjet investimeve mund ta zgjerojmë ekonominë tonë, mund ta mbajmë ritmin e rritjes në nivelet që e kemi pasur në vitet e fundit dhe mund të zgjerojmë horizontet, duke hyrë në tregje jo vetëm evropiane, por edhe më gjerë.

Programi është ndërtuar bazuar në nevojat e biznesit. Ne, në vitet e fundit, kemi parë një ekonomi e cila rritet me dinamizëm. Një ekonomi që është rritur mesatarisht me 4% nga viti në vit. Një ekonomi në të cilën çdo vit numri i sipërmarrjeve rritet me norma dyshifrore. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit ne kemi rreth 12.000 sipërmarrje të reja. Në vitin e kaluar kemi pasur 25.000 sipërmarrje të reja dhe këta numra nuk janë numra të ftohtë, të cilët tregojnë vetëm shifra makroekonomike.

Numrat e rritjes së sipërmarrjes na tregojnë që ka besim që ekonomia do të vazhdojë të rritet. Ka besim që ne do të vazhdojmë të mbështesim sipërmarrjen. Ka potencial për të rritur punësimin, ka potencial për të rritur të ardhurat dhe ka vizion për të arritur tregje. Procesi i integrimit evropian është një proces i cili na jep të gjithëve ne një mundësi të jashtëzakonshme për të arritur një treg me 450 milionë banorë. Por kjo nuk bëhet vetëm. Vizioni ynë për të mbështetur sipërmarrjen është një vizion afatgjatë, ku ne duam të jemi partner i rritjes në investime në çdo biznes, në çdo cep të Shqipërisë dhe prandaj ky program është ndërtuar bazuar në nevojat që tregu kishte, pasi financimi dhe aksesi në financa është një instrument thelbësor për zhvillimin e investimeve.

Ne e nisëm duke pyetur sipërmarrësit se cilat ishin problematikat e financimit dhe, sigurisht, ndër problematikat kryesore ishte norma e lartë e interesit, ishte kolaterali dhe gjithashtu ishte madhësia e biznesit. Për këtë ne ndërtuam një program, në bashkëpunim me sektorin bankar, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, i cili i përgjigjet nevojave të të gjitha sipërmarrjeve. Ne duam që t’i japim mundësi çdo sipërmarrësi shqiptar që të zgjerojë aktivitetin e vet, me qëllim që të rrisë produktivitetin, të arrijë standardet të cilat janë të kërkuara për të arritur tregjet ndërkombëtare, pasi ne besojmë fort që, duke fuqizuar eksportet, ne do të arrijmë që të kemi një vlerë të shtuar të rritur në vend dhe një rritje ekonomike të qëndrueshme. Sigurisht, siç thashë më parë, kjo përkthehet në të ardhura më të larta, në më shumë punësim. Pra, nuk lidhet vetëm me sipërmarrjen në vetvete, por lidhet me rritjen e mirëqenies së popullatës në përgjithësi. Ky nuk është instrumenti i vetëm që ne do të ndërtojmë me qëllim mbështetjen e biznesit në procesin e Bashkimit Evropian, por besojmë fort që, nëpërmjet rritjes së financimit, nëpërmjet kredisë, ne do të arrijmë qëllimet tona afatmesme.

Kredia, në fakt, është rritur për sipërmarrjen me norma dyshifrore. Ditët e fundit është rritur me 15%. Do të thotë që ka pasur më shumë financime në dispozicion e megjithatë vetëm 26% e kredisë për biznesin shkon tek ndërmarrjet e mesme dhe të vogla. Janë ndërmarrjet e mesme dhe të vogla që ne duam të mbështesim me këtë program, pasi ato, në fakt, janë 99% e ndërmarrjeve aktive në Shqipëri, përbëjnë mbi 80% të punësimit, mbi 70% të të ardhurave, të vlerës së shtuar, pra kanë një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik. Ndaj dhe duhen fuqizuar, ndaj dhe duhen fuqizuar në drejtim të automatizimit, në drejtim të inovacionit.

Këto sipërmarrje janë dinamike, kanë dëshirë, kanë vullnet dhe tashmë kanë edhe financim. Unë uroj shumë që nga sot të gjitha bizneset, të cilat në fakt gjatë muajve të fundit kanë pasur një interes të jashtëzakonshëm për këtë produkt, të drejtohen pranë sporteleve të bankave dhe të pyesin për programin “Dyfisho sipërmarrjen tënde” dhe ne jemi këtu, pa diskutim, me të gjithë partnerët, për të garantuar që produkti do të jetë aty për ta, për të gjithë sektorët e mbështetjes, me një vlerë financimi deri në 2 milionë euro, me një afat maturiteti deri në 10 vjet dhe me një normë interesi nga 2 deri në 3%, duke qenë se Qeveria Shqiptare mbulon deri në 70% të kolateralit.

Shumë faleminderit për pjesëmarrjen sot këtu dhe unë do të doja t’ia kaloja fjalën Guvernatorit të Bankës, i cili, në fakt, ka dhënë një kontribut të madh në këtë produkt, duke vënë në dispozicion një vlerë financimi prej 250 milionë eurosh.

/tvklan.al