Emisioni “Stop” trajtoi këtë të martë, më 10 nëntor, rastin e qytetarit Xhevahir Vrapi me banim në Selitë, i cili denoncon të vëllanë, Eduard Vrapin, duke pretenduar se prej 6 vitesh, ai nuk e lejon të hyjë në banesën e tij, duke i bllokuar portën kryesore të oborrit.

Bëhet fjalë për një banesë dykatëshe në bashkëpronësi dhe një tjetër objekt brenda të njëjtit oborr, që është në pronësi të denoncuesit dhe për të cilin ai disponon certifikatë pronësie.

Edhe pse jeton prej 30 vitesh jashtë Shqipërisë, sa herë kthehet në vend, Xhevahiri detyrohet të qëndrojë te motra, pasi i vëllai nuk e lejon të hyjë dhe, sipas denoncimit, i lëshon edhe qenin Pitbull.

Pas përballjes dhe ndërhyrjes së “Stop”, Eduard Vrapi pranon t’ia lërë portën hapur vëllait në çdo orë, që dëshiron dhe të mbajë qenin të lidhur.

Kështu, ndërhyrja e “Stop” sjell zgjidhjen e konfliktit për hyrjen në banesë, ndërsa Xhevahir Vrapi falënderon emisionin për ndihmën.

/tvklan.al