Një konflikt pronësie, e më konkretisht një burim uji në fshatin Shllak u bë shkak për plagosjen e një të moshuari mëngjesin e kësaj të shtune në Shkodër. Disa orë pas ngjarjes, policia njoftoi zbardhjen e ngjarjes. Kështu, në pranga ra 31-vjeçari Ferdirik Kola, si autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të 72-vjeçarit Zef Pjetri.

Zyrtarisht policia thotë se përpara se ta qëllonte me armë gjahu, Kola e përplasi të moshuarin me makinë, më pas hapi zjarr duke e plagosur.

Pjetri ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë, policia thotë se në momentin e arrestimit, 31-vjeçarit iu gjet edhe arma e zjarrit, të cilën e kishte me leje.

“Në vijim të veprime të kryera nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Ferdirik Kola, 31 vjeç, lindur në Shllak dhe banues në fshatin Hot i Ri, Njësia Administrative Rrethina, Bashkia Shkodër.

Ky shtetas dyshohet se mëngjesin e sotëm, në fshatin Hot i Ri, ka përplasur me automjet shtetasin Zef Pjetri 72 vjeç dhe më pas e ka plagosur me armë gjahu çifte. Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti pronësie, për një burim uji në fshatin Shllak.

Në momentin e arrestimit, shërbimet e Policisë, kanë gjetur dhe sekuestruar dhe armën e gjahut të cilën e kishte me leje dhe dyshohet se me të ka kryer plagosjen e 72-vjeçarit”, tha policia në njoftimin e saj për mediat./tvklan.al