Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thyer heshtjen për marrëdhënien me pedofilin Jeffrey Epstein, duke zbuluar se e përzuri nga resorti i tij në Mar-a-Lago.

Deklarata vjen në mes të presionit mbi dosjen e fshehtë që lidh VIP-at me rrjetin e abuzimeve.

Nga Skocia, presidenti amerikan tha se ka prerë çdo lidhje me Jeffrey Epstein vite më parë, pasi ky i fundit “i vodhi punonjësit” nga resorti. Trump kujtoi se e kishte paralajmëruar Epstein të mos e përsëriste, por ai “e bëri sërish”. “E përzura! Jam i lumtur që e bëra”, tha Trump, duke theksuar se nuk kishte folur më me të për vite të tëra.

Deklarata e Trump vjen ndërsa zëvendësprokurori amerikan, Todd Blanche, ka zhvilluar një takim të gjatë me Ghislaine Maxwell në burgun në Florida, për të zbuluar të tjerë emra të fuqishëm që mund të jenë përfshirë në rrjetin e tmerrshëm të abuzimeve seksuale me të mitur.

Gjithçka rikthehet në qendër të vëmendjes, pas vetëvrasjes së viktimës Virginia Giuffre në prill, vajza që kishte punuar në Mar-a-Lago dhe që pretendonte se ishte rekrutuar nga Maxwell për t’u shfrytëzuar nga Epstein.

Ndërsa pritet publikimi i dokumenteve të tjera të hetimit, pyetjet për lidhjet e Trump me Epstein dhe heshtja institucionale vazhdojnë të ngjallin tronditje në SHBA dhe më gjerë./tvklan.al

/tvklan.al