Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të martë (24 mars), rreth orës 14:30 në fshatin Kuman, Fier, ku një burrë ka vrarë me armë zjarri bashkëshorten, e më pas veten.
Viktimat janë Shefit Rrapaj, rreth 80 vjeç (autori) dhe Dashuri Rrapaj, 75 vjeçe (bashkëshortja).
“Rreth orës 14:30, shtetasi Sh. Rr., rreth 80 vjeç, banues në fshatin Kuman, Roskovec, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri (pushkë), në banesë, bashkëshorten e tij, shtetasen D. Rr., rreth 75 vjeçe, dhe më pas ka vrarë veten.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit“, njofton Policia e Fierit.
Këta që shihni në foto janë çifti i bashkëshortëve Shefit dhe Dashuri Rrapaj, të cilët kanë humbur jetën nga krimi i rëndë që ndodhi në banesën e tyre në fshatin Kuman, të Bashkisë së Rroskovecit.

Gazetarja e Klan News, Anila Sefaj, se janë dërguar për te morgu i Fierit trupat e pajetë të çiftit Shefit dhe Dashuri Rrapaj
Sakaq, të afërmit e çiftit Rrapaj, kërkojnë që të futen brenda në banesë, por nuk lejohen nga policia. Në videon e siguruar nga gazetarja Sefa, duket dhe momenti i përplasjes mes së afërmit dhe bluve. Ende nuk është e konfirmuar, por dyshohet se ai është vëllai i Dashuri Rrapajt.
Çifti kishte nëntë fëmijë, të gjithë në emigrim. Njëri prej tyre ka ardhur rreth një muaj më parë dhe ndodhet ende në Shqipëri. Ky i fundit nuk ka qenë i pranishëm në momentin e krimit.
Siç raporton gazetarja Sefa, e gjithë ngjarja ka ndodhur në dhomën e gjumit të çiftit dhe viktimat u gjetën në shtrat.
Uniformat blu po bëjnë ekspertizën e nevojshme, teksa deri më tani janë marrë në pyetje disa persona, mes tyre edhe djali i çiftit Rrapaj.
Gazetarja Sefa, ka intervistuar disa nga fqinjët e çiftit, të cilët shprehen se familja Rrapaj ishte e mirë dhe se nuk përbënte problem për ta.
“Sidomos zonja, ishte një grua e mrekullueshme për mua. Unë e respektoja atë si motrën time. Tani nuk e di, ç’të themi. Shefitin nuk e di. Asnjëherë alkool, i vetmi burrë që nuk përdorte alkool.
Mbase… ai ishte një nga djemtë më të urtë. Se si i kanë pasur problemet e tyre (për djalin e çiftit).
Ishin të ardhur në fshatin tonë ata, mbi 20 vite. Nga larg i kam njohur si njerëzit më të mirë, sidomos zonjën, e kisha tamam si motrën time. Merrej me pulari, me të gjitha gjërat. Të dy jetonin vetëm, 9 fëmijë ata jetonin vetëm”, u shpreh një nga fqinjët.
Një tjetër u shpreh se ka pasur konflikte mes viktimave dhe kunatit.
“Këta janë ardhës nga Levani. Këtu në komunitet mirë, nuk kishim gjë. Kanë kunatin këtu. Me njëri-tjetrin nuk flisnin, nuk shkonin. Nuk e di, ziheshin…”, shtoi një tjetër.
Disa ditë më parë çifti ka pasur një konflikt mes tyre se pse djali i tyre i kthyer nga emigrimi i hodhi më shumë pleh patateve nga sa duhej. Për këtë konflikt ka pasur edhe prezencë të uniformave blu.
“Djali i vogël kishte ardhur nga Greqia. Sipas intervistave të marra nga familjarët dhe komshinjtë e çiftit të vrarë, debatet kanë nisur mes tyre në familje pas ardhjes së djalit nga Greqia. Madje, rreth një javë më parë, policia e Roskovecit është njoftuar për një grindje, po nga autori i vrasjes së sotme në familje dhe debati ka qenë banal. Sherri midis tij dhe bashkëshortes ka qenë për mbrojtjen e djalit si nënë, mbronte, mbante gjithmonë anën e djalit dhe debati i parë, sipas policisë, burime të sigurta, ishte përse djali i ka hedhur më tepër pleh patateve se sa duhej”, u shpreh gazetarja Sefa.
E ndërsa kanë kaluar disa orë që nga momenti i ngjarjes, ende mbeten të paqarta shkaqet e krimit.












Botërori 2026 