18 gusht 2026 – Vrasja e 20-vjeçarit portugez në Ksamil është zbardhur nga Policia e Vlorës dhe Sarandës, në bashkëpunim me Prokurorinë. Në kuadër të hetimeve intensive, janë arrestuar 11 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Autori i dyshuar i vrasjes, S.K, 29 vjeç, u kap disa orë pas ngjarjes në Levan të Fierit, ngjarje të cilën tvklan.al e ka pasqyruar gjatë paradites.

Sipas Policisë, ai ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare me shtetësi turke, ndërsa në makinë ndodhej edhe një 38-vjeçar, po me shtetësi turke. Të dy dyshohet se e kishin fshehur 29-vjeçarin me qëllim transportimin e tij drejt Tiranës.

Në kuadër të hetimeve, në Komisariatin e Policisë Sarandë fillimisht u shoqëruan 41 persona, ndërsa pas veprimeve të para hetimore janë arrestuar 11 dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:15 të 18 gushtit 2026, fillimisht në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise” në Ksamil.

Gjatë një konflikti mes disa personave, 29-vjeçari S. L., alias S. V., dyshohet se ka goditur disa herë me thikë 20-vjeçarin portugez L. V..

Në konflikt dyshohet se është përfshirë edhe shtetasi D. H., 29 vjeç, i cili është shpallur në kërkim. Sipas Policisë, ai e ka goditur me grushte viktimën. Për të dy është referuar akuza e “Vrasjes me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se në konflikt janë përfshirë edhe katër kamarierë të lokalit, të cilët dyshohet se kanë goditur me grushte 20-vjeçarin përpara se ai të goditej me thikë.

Në momentin e ngjarjes, në ambientet e lokalit ndodheshin edhe katër persona në rolin e sigurimit, mes tyre tre efektivë policie.

Sipas Policisë, ata nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e konfliktit dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet.

Edhe pronari i lokalit është shpallur në kërkim. Sipas Policisë, ai ka qenë i pranishëm në momentin e ngjarjes, por më pas është larguar dhe nuk e ka raportuar përplasjen në biznesin e tij.

Për personat e arrestuar dhe të shpallur në kërkim janë ngritur akuza që variojnë nga vrasja me dashje në bashkëpunim, te përkrahja e autorit të krimit, moskallëzimi i krimit dhe mosmarrja e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme.

|Sqarim: Turisti u raportua fillimisht si francez, policia njofton se bëhet fjalë për shtetas portugez|

Arrestimi i autorit të dyshuar

Në VIDEO, mund të shihni momentin kur i riu nga Hasi nxirret me forcë nga bagazhi i makinës dhe neutralizohet nga policia.

Zbathur dhe me një palë pantallona të shkurtra me njolla gjaku, ai reziston edhe pse ndodhet totalisht i bllokuar, gati për t’i vënë prangat.

Lexues të tvklan.al, më poshtë keni edhe pamjet e plota të arrestimit të autorit, këtë herë me audio dhe në plan më të gjerë.

Nga hetimet e kryera, rezulton se autori i dyshuar i krimit S.K ishte dënuar më parë për trafik droge në Britaninë e Madhe.

Njoftimi i Policisë për ngjarjen:

Veprime intensive hetimore me metoda speciale të hetimit, të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit portugez, mëngjesin e sotëm në Ksamil.

Vihen në pranga 11 shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e rrethanave, dokumentimin ligjor, kapjen dhe arrestimin e autorit, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e 20-vjeçarit portugez, mëngjesin e sotëm në Ksamil, Sarandë, ju informojmë se:

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe koordinimit të punës mes Komisariatit të Policisë Sarandë, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, paraditen e sotme, në Levan, Fier, u kap në bagazhin e një automjeti autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi S. L., alias S. V., 29 vjeç.

Ky shtetas udhëtonte në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga shtetasja E. P., 31 vjeçe, dhe pasagjer shtetasi N. M., 38 vjeç, të dy me shtetësi turke, të cilët kishin njohje me autorin dhe e kishin fshehur në makinë, me qëllim që ta transportonin drejt Tiranës.

Po në kuadër të veprimeve për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit, në Komisariatin e Policisë Sarandë u shoqëruan 41 shtetas.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

S. L., alias S. V., 29 vjeç, banues në fshatin Helshan, Has;

N. M., 38 vjeç, dhe E. P., 31 vjeçe, të dy me shtetësi turke;

S. S., 24 vjeç, banues në Ersekë;

E. B., 24 vjeç, banues në Peshkopi;

I. C., 21 vjeç, banues në Librazhd;

M. Zh., 27 vjeç, banues në Elbasan;

M. M., 24 vjeç, banues në Gjirokastër;

L. S., 44 vjeç, banues në Gjirokastër;

R. Sh., 35 vjeç, banues në Gjirokastër;

K. K., 29 vjeç, banues në Gjirokastër.

Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit D. H., 29 vjeç, banues në Tiranë, dhe B. B., 36 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore rezulton se:

Në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, shtetasi S. L., alias S. V., dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup shtetasin e huaj portugez L. V., 20 vjeç. Po në të njëjtën kohë, edhe shtetasi D. H., tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 20-vjeçarin. Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.

Ndërsa shtetasit S. S., E. B., M. Zh. dhe I. C., të cilët janë kamarierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konfliktin e mësipërm, duke goditur me grushte 20-vjeçarin, para se ta godiste me mjet prerës shtetasi S. V., dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Në momentin e kësaj ngjarjeje, në lokalin “Principote” kanë qenë në rolin e bodyguard-ëve shtetasit M. M. (punonjës policie D. R. K. M. Gjirokastër), L. S. (punonjës i I. E. V. P. Fier), R. Sh. (punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër) dhe K. K., të cilët kanë pasur rolin e sigurisë dhe nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, që fillimisht ka nisur në ambientet e lokalit “Principote”, si dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, në momentin e ndodhjes së kësaj ngjarjeje, në ambientet e lokalit “Principote” ka qenë edhe pronari i tij, shtetasi B. B., i cili, pas ngjarjes, është larguar duke mos kallëzuar në autoritetet përkatëse.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për shtetasit S. V. dhe D. H., për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim; për shtetasit N. M. dhe E. P., për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”; për shtetasit S. S., E. B., M. Zh., I. C., L. S., K. K., B. B. dhe R. Sh., për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; si dhe për shtetasin M. M., për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.


/tvklan.al