18 gusht 2026 – Të paktën 42 persona janë shoqëruar drejt komisariatit të Sarandës për t’u marrë në pyetje lidhur me vrasjen e turistit portugez 20 vjeç në Ksamil nga 29-vjeçari me iniciale S. V. Mes të shoqëruarve janë punonjës të stafit të lokalit ku ka ndodhur vrasja si dhe klientë që mund të kenë dijeni mbi rastin.
Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë nga ku pritet të dalin në dritë të tjera detaje që mund të çojnë në zbardhjen e dinamikës. Deri më tani dyshohet se mes autorit dhe viktimës të ketë ndodhur një konflikt i çastit ndërsa ngelet për t’u konfirmuar nëse motiv për vrasjen të jetë bërë një vajzë.
Sakaq, hetimet janë përqendruar dhe te dy shtetasit turq që ndodheshin në automjetin me të cilin autori tentoi të arratisej. 29-vjeçari ishte fshehur në bagazhin e një “Ford-i” që po drejtohej nga një 31-vjeçare dhe pasagjer ishte një 38-vjeçar. Ende nuk është e qartë lidhja e tyre me autorin e vrasjes, ndërsa ka dyshime që S. V., të ishte i punësuar si truprojë e njërit prej tyre.
Gjithashtu policia ka arrestuar dhe një efektiv policisë, 24-vjeçari M. M., me detyrë Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër. Sipas burimeve, ai ka qenë i përfshirë në konflikt dhe më pas ka ndihmuar autorin të largohet.
Në kërkim policia ka shpallur dhe pronarin e lokalit, i cili nga hetimet rezulton se ndodhej në vendin e ngjarjes dhe më pas është larguar drejt Tiranës për t’iu shmangur hetimeve.
/tvklan.al












Botërori 2026 
