Shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos ka shkaktuar 2,325 viktima, duke tejkaluar numrin e të vdekurve nga epidemia e viteve 2018-2020 dhe duke u bërë shpërthimi më vdekjeprurës në historinë e vendit.
Sipas të dhënave të fundit të autoriteteve shëndetësore, numri i rasteve të konfirmuara ka arritur në 4,945, pasi vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 101 raste të reja.
Ky është shpërthimi i 17-të i Ebolës në Kongo dhe tashmë është më i madhi në historinë e vendit edhe për nga numri i rasteve. Në epideminë e viteve 2018-2020, e cila deri tani ishte më e rënda, humbën jetën 2,299 persona. Në nivel botëror, shpërthimi aktual në Kongo është tejkaluar vetëm nga epidemia e Ebolës në Afrikën Perëndimore në vitet 2014-2016. Në atë periudhë, në Guine, Liberi dhe Sierra Leone u regjistruan 28,616 raste dhe 11,310 viktima.
Situata në Kongo është përkeqësuar me shpejtësi. Ndërsa epidemisë në Afrikën Perëndimore iu deshën rreth pesë muaj për të arritur në 1,000 viktima, shpërthimi aktual në Kongo arriti në 2,000 të vdekur në më pak se tre muaj. Shpërthimi është shkaktuar nga një lloj i virusit Ebola i njohur si Bundibugyo, për të cilin aktualisht nuk ka vaksina apo trajtime të miratuara. Epidemia u shpall zyrtarisht më 15 maj dhe që atëherë është përhapur me ritme të shpejta.
Autoritetet po përballen me probleme të mëdha për shkak të dobësive në sistemin shëndetësor, vështirësive në zbulimin e rasteve dhe mungesës së bashkëpunimit në disa komunitete. Paqëndrueshmëria në vend e ka bërë gjithashtu më të vështirë reagimin ndaj epidemisë.
Sipas të dhënave qeveritare, rreth 46% e personave me infeksion të konfirmuar kanë humbur jetën. Në fillim të qershorit, kjo shifër ishte rreth 20%. Ekspertët thonë se kjo nuk do të thotë se virusi është bërë më vdekjeprurës. Sipas tyre, shifra e lartë lidhet kryesisht me zbulimin e vonë të rasteve dhe vështirësitë në sigurimin e trajtimit në kohë.
Thomas Parisch, specialist i shëndetit publik i angazhuar në Kongo nga organizata “Mjekët pa Kufij”, tha se normalisht përqindja e viktimave duhet të ulet me kalimin e kohës, pasi përmirësohet gjurmimi i kontakteve dhe pacientët identifikohen e trajtohen më herët.
Megjithatë, sipas tij, shumë raste në Kongo po zbulohen ende shumë vonë, kur trajtimi ka më pak gjasa të jetë efektiv. Disa pacientë identifikohen vetëm pasi kanë humbur jetën në komunitet.
Një numër i vogël vaksinash dhe trajtimesh eksperimentale po vlerësohen aktualisht, ndërsa ekspertët ndërkombëtarë po shqyrtojnë nëse trajtimet ekzistuese kundër Ebolës mund të ofrojnë mbrojtje. Deri tani, provat për këto alternativa janë kryesisht të kufizuara në studime te kafshët.
Ebola ishte përhapur më herët edhe në Ugandën fqinje, por autoritetet atje arritën ta kufizojnë epideminë në dy viktima dhe 20 raste të konfirmuara. Uganda e shpalli përfundimin e shpërthimit muajin e kaluar.
Virusi Ebola përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore të personave të infektuar, qofshin të gjallë apo të vdekur. Sëmundja mund të shkaktojë temperaturë të lartë, të vjella dhe diarre, ndërsa në rastet më të rënda mund të shkaktojë edhe gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme.
/tvklan.al












Botërori 2026 
