Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nga qelia e paraburgimit, i është drejtuar këtë të shtunë, më 25 prill, Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) me një kërkesë publike për transmetuar live të gjitha seancat e procesit gjyqësor ndaj tij.

“Në respekt të qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë bashkëkombasve, kudo që ndodhen, të cilëve u kam shërbyer me përkushtim, përgjegjësi maksimale dhe ndjenjë të thellë patriotizmi në detyrat më të larta shtetërore (President i Republikës, Kryetar i Kuvendit dhe Kryeministër), i drejtohem sot Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën publike për të garantuar transmetimin e drejtpërdrejtë (live) të të gjithë këtij procesi, nga seanca e parë, të hënën, më datë 27 prill 2026 dhe deri në fund.
Në funksion të informimit publik, të gjithë gazetarëve dhe mediave të interesuara duhet t’ju garantohet sinjali i transmetimit (live).
Transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik!”
, shkruan Meta.

Sjellim ndërmend se pak ditë më parë, një kërkesë të ngjashme e bëri kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, por ndaj Gjykatës Administrative, që të transmetohen live të gjitha seancat gjyqësore të lidhura me padinë e tij, kundër prokurorit Ols Dado (Lexo këtu).