Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i ka kërkuar Gjykatës Administrative të lejojë transmetimin live të seancave gjyqësore të lidhura me padinë e tij, kundër prokurorit Ols Dado.

Në kërkesën drejtuar gjyqtarit Hazbi Balliu, Veliaj argumenton se parimi i publicitetit të seancave, i parashikuar në ligj, duhet të zbatohet në mënyrë të plotë dhe efektive, duke i dhënë publikut mundësinë ta ndjekë drejtpërdrejt procesin.

Veliaj kërkon që gjykata të lejojë ose praninë e mediave me kamera për transmetim të drejtpërdrejtë, ose të ofrojë vetë një sinjal zyrtar për transmetimin live të seancave. Kjo sepse sipas tij, ndonëse seancat janë formalisht të hapura, aksesi i publikut mbetet i kufizuar për shkak të hapësirës fizike dhe numrit të kufizuar të pjesëmarrësve.

“Më konkretisht, kërkoj nga Gjykata që të lejojë praninë e një kamere të mediave për transmetimin e drejtpërdrejtë të çdo seance, ose, në alternativë, që vetë Gjykata të mundësojë transmetimin live të çdo seance përmes një sinjali institucional të kontrolluar prej saj, në mënyrë që publiku të ketë akses të drejtpërdrejtë në zhvillimin e procesit. Aktualisht, edhe pse seanca është e hapur, mundësia reale e publikut për ta ndjekur atë mbetet e kufizuar në mënyrë të ndjeshme. Prania fizike e një numri të kufizuar personash në sallë dhe e disa përfaqësuesve të mediave nuk mund të zëvendësojë aksesin e drejtpërdrejtë të qytetarëve në një proces që, sipas ligjit, është publik. Në këto kushte, publiciteti rrezikon të mbetet më shumë formal sesa real.”, shkruan Veliaj.

Padia në fjalë është ngritur nga Veliaj dhe Bashkia e Tiranës kundër Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe prokurorit Ols Dado, për të kërkuar shpalljen si të pavlefshëm të dekretit të emërimit të këtij të fundit si prokuror, si dhe përfundimin e statusit të tij si magjistrat.