Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Kuvend e ka cilësuar historik Buxhetin e vitit 2027, duke theksuar se për herë të parë Shqipëria arrin një nivel prej afro 10 miliardë eurosh.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku po diskutohet projektbuxheti dhe paketa fiskale, Rama u ndal edhe te raporti i progresit të Bashkimit Europian, duke e konsideruar atë një vlerësim të rëndësishëm për ecurinë e vendit drejt anëtarësimit. Sipas tij, raporti përmban rekomandimin për nisjen e përgatitjeve për Traktatin e Anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës, Rama tha se kundërshtarët politikë po përpiqen ta paraqesin raportin e progresit si një dokument kundër qeverisë. Ai u ndal edhe te protesta, duke deklaruar se protesta kundër qeverisë është një e drejtë dhe diçka e natyrshme, por sipas tij, opozita po përballet me mungesë të mbështetjes në shoqëri. “Të protestohet kundër qeverisë është gjëja më e natyrshme”, u shpreh Rama, duke shtuar se shqiptarët do të japin përgjigjen e tyre në zgjedhjet lokale të 9 majit 2027.

Sa i përket buxhetit, kryeministri tha se rritja ekonomike i ka krijuar mundësinë qeverisë të ulë kostot e jetesës për familjet shqiptare, të lehtësojë barrën fiskale për shtresën e mesme dhe të vijojë mbështetjen për pensionistët dhe shtresat në nevojë.

Rama argumentoi se mbështetja elektorale për Partinë Socialiste lidhet me politikat që, sipas tij, prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të zakonshëm. “Mos i bëni shqiptarët për budallenj, se shqiptarët të japin ujë në bisht të lugës”, deklaroi nga foltorja e Kuvendit.

Rama u ndal te treguesit ekonomikë, duke theksuar se Shqipëria ka shënuar rritje ekonomike dhe është vlerësuar pozitivisht edhe në raportet ndërkombëtare.

Bëri me dije se paga mesatare ka arritur në 967 euro, ndërsa investimet e huaja kanë prekur nivele historike. Kryeministri e përshkroi buxhetin e ri si një tjetër hap në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe integrimit europian, duke deklaruar se historia do ta kujtojë qeverinë e tij si ndërtuese të Shqipërisë europiane.

/tvklan.al