Ndërsa Këshilli i Legjislacionit dhe komisioni i ligjeve vijojnë diskutimet me ekspertët ndërkombëtarë të projektit PACA dhe misionit EURALIUS dhe grupet e interesit, për kufizimin e imunitetit, kryetari i opozitës i jep një goditje debatit publik të ndërmarrë për të gjetur një konsensus për një nga rekomandimet ende të paplotësuara në pritjet e një përgjigjeje pozitive në vjeshtë për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Në të njëjtat ditë që ekspertët e EURALIUS-it propozuan kufizimin e imunitetit pa bërë ndryshime të tjera në Kushtetutë, në një dalje përpara mediave Edi Rama ka deklaruar se grupi parlamentar socialist do të jap konsensusin për heqjen e imunitetit vetëm nëse ndërhyrjet në ligjin themeltar të shtetit do të bëhen bashkë me propozimet e tjera të Partisë Socialiste, për ndryshimin e votimit për zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm dhe dekretet e presidentit për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj kushtetuese.
Edi Rama: “Që ndërhyrja në Kushtetutë për kufizimin imunitetit nuk duhet të kufizohet vetëm te çështja e imunitetit. Sepse muri që rob të korruptuarit sot në Shqipëri, nuk është imuniteti kushtetues po pushteti politik që ka kapur dhe po e mbyt drejtësinë. Ashtu si kundër jemi referuar disa kushtetutave për ta lehtësuar zgjedhjen e presidentit të Republikës duke futur shumicën e thjeshtë në dy raundet e fundit ashtu kemi plotësisht të drejtë të besojmë se me referenca të njëjta tek të njëjtat kushtetuta na duhet të krijojmë një balancë të re me sistemin e drejtësisë përmes mënyrës së zgjedhjes së gjyqtarëve e të prokurorit të përgjithshëm padyshim.”
Rama tha se integrimi evropian mund të arrihet vetëm se maxhoranca pranon propozimet e PS për ndërhyrjet në Kushtetutë.
Edi Rama: “Fjalimet e djeshme tërë duf dhe tërë mllef kundër opozitës. Kryetares së kuvendit dhe të përfaqësuesve të tjerë të kuvendit ishin të padenja për të gjetur konsensus për çmimin e qepëve tregun fshatar dhe jo për të marrë konsensusin e opozitës për ndryshimin e Kushtetutës. Nëse ne opozita dhe qeveria arrijmë të gjejmë konsensus për këtë paketë ndryshimesh kushtetuese që krijon garancia, jam i bindur se i japim Shqipërisë një shans të papritur dhe të plotë për ta marrë statusin e kandidatit.”
Kryetari i Partisë Socialiste i quajti si propagandë akuzat e maxhorancës se opozita nuk e voton heqjen e imunitetit përpara se Brukseli të japë përgjigjen për statusin, me qëllim bllokimin e tij për herë të tretë. Konferenca e kryetarëve ka vendosur votimin më 6 gusht për imunitetin. Konsultimet me palët dhe grupet e interesit kanë nisur tashmë sipas agjendës së parashikuar në kalendarin e miratuar në mbledhjen e fundit të saj.
Ndaj qëndrimi i Edi Ramës ngjan paradoksal, në një kohë kur deputetët e Partisë Socialiste janë bërë pjesë e konsultimeve në Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionin e Ligjeve për shqyrtimin e nismave për heqjen e imunitetit dhe kanë qenë në dakordësi në shumë të tjera për mënyrën e zgjedhjes së prokurorit dhe gjykatësve të lartë dhe të kushtetueses, të cilët nuk nënshtrohen procedurave të parashikuara në rregulloren e Kuvendit, çka do të thotë se duhet më tepër kohë./tvklan.al












Botërori 2026 