Policia e Tiranës ka proceduar në gjendje të lirë mjekun Edmond Gashi për thyerje të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata e Tiranës për “Shpërdorim detyre”.

Procedimi i tij është bërë mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 21:00, nga efektivë të komisariatit nr.6, pas komunikimit me prokurorin e çështjes, Bledar Valikaj.

Policia kishte marrë informacione në rrugë operative se mjeku kishte thyer arrestin shtëpiak dhe ishte duke frekuentuar ambientet e një lokali në fshatin Kus, Kashar.

Mjeku ka shkuar në lokal menjëherë pas seancës gjyqësore në Gjykatën e Tiranës. Kur policia ka shkuar në lokal nuk e ka gjetur mjekun, por e ka vërtetuar nëpërmjet pamjeve të kamerave të sigurisë.

Më pas efektivët e kanë gjetur në banesë, e kanë marrë dhe e kanë shoqëruar në komisariat. Ai është mbajtur deri rreth orës 21:00 në ambientet e komisariatit nr.6 në kryeqytet dhe pas urdhrit të prokurorit, ai është lënë i lirë.

Sa i takon çështjes së shoqërimit me efektivë policie për në sallën e gjyqit, burime nga policia bëjnë me dije për gazetarin Besar Bajraktaraj se për mjekun Gashi nuk ka mbërritur në polici fletëthirrje nga gjykata.

Kujtojmë se dje kur mbërriti në gjykatë Gashi pasi u pyet nga gazetarët tha vetëm këtë fjali: Unë bëj vetëm punën!

Më pas pavarësisht interesimit të gazetarëve mjeku nuk preferoi të ballafaqohej me ta, por pasi iu konfirmua masa e sigurisë doli nga pjesa e pasme e godinës institucionale për t’u larguar me vrap. E pas largimit, siç është vërtetuar nga policia, ka shkuar në lokal…

Policia në njoftimin e saj thotë se ka referuar materialet në prokurori edhe për një 22-vjeçar. Ky i fundit ka fshehur DVR-në me pamjet filmike ku ka qëndruar mjeku Gashi.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin Edmond Gashi, 47 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, dhe për shtetasin E. S., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Shtetasi Edmond Gashi ka thyer shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke dalë jashtë banesës, ndërsa shtetasi E. S. ka fshehur DVR-në me pamjet filmike nga lokali ku ka qëndruar shtetasi Edmond Gashi”, njoftoi policia.    

Të enjten Gjykata e Tiranës la në fuqi masat e sigurisë për mjekët dhe specialistët e Spitalit Onkologjik.  Hetimet e prokurorisë zbuluan një skemë përfitimi me pacientët e prekur me kancer.

Mjekët nuk u jepnin shërbim dhe i drejtonin drejt një klinike private me qëllim përfitimin. Klinika në fjalë ishte në pronësi të Halil Gashit, babait të mjekut Edmond Gashi.

Përveç tij nën akuzë janë edhe Alketa Ymeri (Pere), Emiljano Lela, Brikena Qirjazi, Florian Marku, Halil Gashi dhe Drilona Kishta./tvklan.al