Raportim Live
14:06, 27 Qershor 2024

Shoferi i mjekut Edmond Gashi “feston” me muzikë latine masën e sigurisë

Shoferi i mjekut Edmond Gashi “feston” me muzikë latine masën e sigurisë

Siç raporton gazetarja e Klan New Glidona Daci, sot në ambientet e Gjykatës së Tiranës ka ndodhur dhe një gjë tejet e pazakontë. Shoferi i mjekut Edmond Gashi ka vendosur muzikë me volum të lartë para Gjykatës, aty ku gazetarët po raportonin live mbi skandalin e Onkologjikut. Teksa “bossit” të tij i konfirmohej masa e sigurisë, duket se shoferi as nuk e ka vrarë mendjen.


Gashi sot u mjaftua me vetëm një fjali për të gjithë abuzimin: Unë kam bërë detyrën…

Ndryshe nga kolegia e tij, mjekja Alketa Ymeri (Pere) e cila pa iu dridhur qerpiku u ballafaqua me gazetarët, e madje iu hakërrye atyre për “prishje të imazhit”… Gashi u largua me vrap nga Gjykata Penale e Tiranës.

12:58, 27 Qershor 2024

Abuzimet tek Onkologjiku, qytetarët në protestë

Abuzimet tek Onkologjiku, qytetarët në protestë

Zhvatja e pacientëve me tumor nga mjekët e Onkologjikut në QSUNT ka bërë që pasditen e djeshme dhjetëra qytetarë të protestojnë përpara Ministrisë së Shëndetësisë.

Ata kërkuan shërbim të drejtë për çdo qytetar, plotësim të spitaleve me barnat që mungojnë, ashpërsim të ndëshkimeve për mjekët që abuzojnë me detyrën si dhe dorëheqjen e Ministres së Shëndetësisë Albana Koçiu.

12:43, 27 Qershor 2024

Me vrap nga pjesa e pasme e Gjykatës, shihni si “ia mbath” mjeku Gashi…

Me vrap nga pjesa e pasme e Gjykatës, shihni si “ia mbath” mjeku Gashi…

Mjeku 44 vjeçar Edmond Gashi i akuzuar për “shpërdorim detyre” te “Onkologjiku” ia ka dalë të mos përballet më me gazetarët. Pasi në Gjykatën Penale të Tiranës iu konfirmua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ai doli nga pjesa e pasme e godinës institucionale.

Gazetarja e Klan News Glidona Daci ka siguruar edhe videon e mjekut që largohet duke vrapuar…

Për të lexuar lajmin e plotë kliko KËTU!

12:33, 27 Qershor 2024

Administratori i farmacisë mohon njohjen me mjekët

Administratori i farmacisë mohon njohjen me mjekët

Florian Marku, administratori i farmacisë “Flori Farma”, i akuzuar si pjesë e skemës abuzive të mjekëve të Spitalit Onkologjik hodhi poshtë çdo akuzë.

“S’kam asnjë lloj lidhje dhe nuk njoh asnjërin nga personat. Roli farmacistit është humanist. Nuk njoh asnjë person”, tha ai pasi doli nga gjykata.

Ndaj Florian Markut është caktuar masa arrest në shtëpi.

Ndaj 42-vjeçarit rëndon akuza ‘tregtim dhe transportim të mallrave që janë kontrabandë dhe ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë’.

12:23, 27 Qershor 2024

Lihen në fuqi masat për mjekët e specialistët

Lihen në fuqi masat për mjekët e specialistët

Gazetarja Glidona Daci raporton se Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masat ndaj 7 të akuzuarve për skandalin te Onkologjiku.

Kujtojmë se masat janë 2 në arrest shtëpie dhe 5 detyrim paraqitje.

Nën akuzë janë: Edmond Gashi, Alketa Ymeri (Pere), Emiljano Lela, Brikena Qirjazi, Florian Marku, Halil Gashi, Drilona Kishta.

12:17, 27 Qershor 2024

Ministrja Koçiu: Ata mjekë do mbajnë peshën e ligjit dhe moralin e turpit

Ministrja Koçiu: Ata mjekë do mbajnë peshën e ligjit dhe moralin e turpit

Teksa opozita ka kërkuar dorëheqjen e saj, ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu ka folur nga foltorja e Kuvendit për skandalin në spitalin Onkologjik. Ajo ritheksoi se ‘bluzat e bardha’ që janë akuzuar për abuzim në ushtrimin e detyrës do marrin përpos ndëshkimit ligjor, edhe atë moral e administrativ.


Për të sanksionuar me ligjn të gjithë ata mjekë, ata që nuk mund t’i quaj më as profesionistë, që e  trajtojnë jetën njerëzore si mall në tregun e shumicës do  kërkojmë ndryushime në ligj, do u hiqet e drejta e ushtrimit të detyrë në rast se bëjnë sjellje amorale. Kam lexuar qëndrime nga ato kritiket….”

Për të lexuar lajmin e plotë kliko KËTU!

12:03, 27 Qershor 2024

Aparatura për trajtimin e kancerit që nuk u vu në punë kurrë…

Aparatura për trajtimin e kancerit që nuk u vu në punë kurrë…

Aparaturë Kobalto-Terapi, foto ilustruese

Nga hetimet e prokurorisë rezultoi se në Spitalin Onkologjik u instalua një aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.

Që të përdoret Cobalt Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushtetve teknike.

“Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqiperi dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar, por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekesor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emëton kjo pajisje”, tha prokuroria e kryeqytetit.

Sipas gazetares Glidona Daci përfitimet nga ndërhyrjet që kryheshin në klinikën private varionin nga 3 mijë euro e lart.

11:48, 27 Qershor 2024

Gazetarja Daci jep detaje nga hetimet ndaj mjekëve e specialistëve

Gazetarja Daci jep detaje nga hetimet ndaj mjekëve e specialistëve

Gazetarja Glidona Daci sjell detaje nga Gjykata e Tiranës, teksa mbahet seanca e masave të sigurisë ndaj mjekëve dhe specialistëve të Onkologjikut.

11:44, 27 Qershor 2024

Mjeku Edmond Gashi: Unë bëj vetëm punën

Mjeku Edmond Gashi: Unë bëj vetëm punën

Ky është momenti kur mjeku Edmond Gashi vjen në Gjykatën e Tiranës për masën e sigurisë. 44-vjeçari akuzohet për shpërdorim detyre dhe ndaj tij është caktuar arrest në shtëpi.

I dyshuar si organizator i skemës abuzive ndaj pacientëve të prekur me kancer, për gazetarët Gashi tha vetëm këtë fjali: Unë bëj vetëm punën!

Për të lexuar lajmin e plotë kliko KËTU!

11:38, 27 Qershor 2024

“Më nxirrni çik bukur…”

“Më nxirrni çik bukur…”

E akuzuar për “shpërdorim detyre”, mjekja e Onkologjikut Alketa Ymeri (Pere)

Më nxirrni çik bukur se m’i keni shëmtuar ato fotografitë komplet”, kështu e nisi prononcimin e saj për mediat mjekja Alketa Ymeri (Pere). 53 vjeçarja është një ndër 7 të hetuarit për skandalin në Spitalin Onkologjik, e akuzuar për “shpërdorim detyre”.

Pasi u kujdes që të dilte mirë para kamerave, mohoi në mënyrë absolute që të ketë orientuar pacientë me kancer drejt spitaleve private.

“Kurrë në jetën time nuk e kam bërë këtë gjë! Kurrë në jetën time nuk kam bërë që pacienti të shkojë në spital privat. Pacienti me kancer duhet të trajtohet në spitalin Onkologjik. Duhet të hetohen të gjitha spitalet private për aktivitetin që kryhet. E falenderoj dhe prokurorin për punën që ka bërë, duhet një ndryshim rrënjësor në Onkologjik. Unë do pronocohem mbrapa, sot kam ardhur të mbroj veten time. Jam komplet e pafajshme! Do sqarohet gjithçka! Në asnjë klinikë private nuk punoj! Një minutë, se më keni mërzitur ju gazetarët. Nxirrini të gjitha, mos i shkurtoni fare. Edhe ato fotot më interesojnë, duhet ruajtur etika. Për atë punë keni mbaruar. Unë e ruaj deri në fund etikën, sidomos me pacientin. Kam dhe pacientë me kancer në familje dhe di çdo gjë se çfarë do të thotë.”

Për të lexuar lajmin e plotë kliko KËTU!

11:32, 27 Qershor 2024

Masat e sigurisë

Masat e sigurisë

-Arrest në shtëpi për mjekun Edmond Gashi, 44 vjeç, i akuzuar shpërdorim detyre.

-Detyrim për t’u paraqitur për koordinatorin pranë Spitalit Onkologjik, Emiljano Lela, 36 vjeç, i akuzuar për shpërdorim detyre.

-Detyrim për t’u paraqitur për mjeken Alketa Ymeri (Pere), 53 vjeçe, e akuzuar shpërdorim detyre.

-Detyrim për t’u paraqitur për zv/drejtoreshën në QSUNT, e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik, Brikena Qirjazi, 52 vjeçe, e akuzuar shpërdorim detyre.

-Arrest në shtëpi për administratorin e farmacisë “Flori Farma”, Florian Marku, 42 vjeç, i akuzuar për tregtim dhe transportim të mallrave që janë kontrabandë dhe ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë.

-Detyrim për t’u paraqitur për pronarin e klinikës private Halil Gashin për fshehje të të ardhurave.

-Detyrim për t’u paraqitur për ish-specialisten pranë QSUNT, Drilona Kishta, e akuzuar për shpërdorim detyre. (Vendimi për të nuk është ekzekutuar pasi është jashtë vendit).

11:27, 27 Qershor 2024

Skandali te Onkologjiku, Gjykata e Tiranës le në fuqi masat për mjekët dhe specialistët (Të gjitha zhvillimet)

Skandali te Onkologjiku, Gjykata e Tiranës le në fuqi masat për mjekët dhe specialistët (Të gjitha zhvillimet)

6 mjekë e specialistë të Spitalit Onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, dalin këtë të enjte para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masat e sigurisë. Në total, janë 7 masa të vendosura ndaj tyre, 2 në arrest shtëpie dhe 5 detyrim paraqitje. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nuk u ofronin me qëllim shërbim pacientëve të prekur me kancer dhe i drejtonin ata në një klinikë private. Kjo e fundit ishte në pronësi të babait të mjekut Edmond Gashi.

Për çdo pacient që orientohej për trajtim tek spitali privat, mjekët e Onkologjikut përfitonin shuma të konsiderueshme parash. E dhënë kjo që faktohet edhe nga përgjimet e realizuara nga prokuroria dhe krimi ekonomiko financiar në policinë e Tiranës.

Gjithashtu po nga hetimet e kryera ka rezultuar se në Spitalin Onkologjik prej vitit 2021 është instaluar një aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e pacientëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale, pajisje kjo që mësohet se nuk është shfrytëzuar.

Madje nga verifikimet ka rezultuar se ajo është lënë në kushte dhe ambient të papërshtatshme, duke u bërë burim rreziku edhe për vete personelin mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje. Por skema abuzimit nuk ndalej vetëm me orientimin tek spitali privat në pronësi të një prej të akuzuarve, mjekët në fjalë drejtonin pacientët e tyre edhe për ilaçe në farmaci private.