Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, raportues të Parlamentit Evropian për Shqipërinë nuk ndajnë të njëjtin qëndrim për pezullimin nga Gjykata Kushtetuese e ligjit të Vetting-ut pas ankimimit si antikushtetues, që i bëri partia demokratike ligjit kyç të reformës në drejtësi. Të dy kanë replikuar për këtë çështje në Komitetin e Asocim Stabilizimit BE-Shqipëri, që u mbajt në Bruksel.

Knut Fleckenstein vë në pikëpyetje domosdoshmërinë e konsultimit të Gjykatës Kushtetuese me Komisionin e Venecias për ligjin e Vetting-ut. Por raportuesi në hije për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Kukan, i ka kujtuar Fleckenstein, se është vetë Bashkimi Evropian që i kërkon Shqipërisë dhe vendeve aspirante të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit, si një parim bazë i ndarjes së pushteteve.

Ne duam të shohim zbatimin e reformave individuale edhe në terren. Për procesin e Vetting-ut, jam shumë kurioz të mësoj nëse ka diçka antikushtetuese. Dua të di më shumë nëse Gjykata Kushtetuese duhet të kërkojë vërtet mendimin e Komisionit të Venecias për t’u shprehur mbi ligjin e Vetingut

”, tha Fleckenstein.

“Asnjë nuk mund të kritikojë partinë demokratike pse ka dërguar ligjin e Vetting-ut në Gjykatën Kushtetuese. Është e drejta e tyre dhe është tërësisht në rregull. Jemi ne që ju themi juve të respektoni pavarësinë e gjykatave, pasi është një parim bazë.

Gjykata Kushtetuese në Sllovaki ka dhënë disa vendime që janë krejtësisht të papëlqyeshme, por ne duhet t’i respektojmë ato. Pra, në rastin e Shqipërisë, duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, replikoi Kukan.

E ndërsa ndajnë qëndrime të ndryshme për ankimimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese , dy raportuesit janë në sinkron të plotë për sa i takon zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, të cilat sipas tyre përbëjnë një test të vërtetë për kulturën politike demokratike në vend dhe për ecurinë e vendit në integrimin evropian. Më 9 nëntor publikohet raporti i progresit të Shqipërisë për anëtarësim në BE, nga i cili qeveria shqiptare pret hapjen e negociatave./ TV KLAN