11-vjeçari gjendej në kampin e të burgosurve të ISIS

Alvin Berisha është i lirë. Pas 1 muaji plot ankth e frikë për jetën e tij, 11-vjeçari ka mundur të dalë jashtë kampit “Al Hol” në veri të Sirisë, ku mbahen të burgosur mbi 70 mijë luftëtarë të ISIS dhe të afërm të tyre.

Kjo foto ekskluzive e Televizionit Klan tregon momentin kur ai ka dalë nga kampi në një furgon.

Në disa foto të tjera ai shfaqet në shoqërinë e një punonjësi të Gjysmëhënës së Kuqe Siriane, e cila ka ndihmuar në operacionin e shpëtimit, së bashku me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe mban në kokë një kapele të organizatës humanitare.

Ndërsa kjo video është xhiruar në Damask, ku ai ndodhet në pritje për t’u nisur në Itali.

Mediat italiane shkruajnë se operacioni është kryer nga autoritetet italiane dhe ato shqiptare, nën kujdesin e qeverive të dy vendeve.

Në Siri ishte prej të martës së bashku me një grup të forcave speciale shqiptare, edhe Ministri i Brendshëm shqiptar, Sandër Lleshaj, i cili ka bërë edhe një foto me Alvin Berishën pas nxjerrjes së tij nga kampi.

Mediat italiane shkruajnë se forcat speciale italiane “ROS” dhe ato shqiptare kanë shfrytëzuar një korridor humanitar për ta nxjerrë 11-vjeçarin jashtë Al Holit.

Alvin Berisha qëndronte në këtë kamp që prej 14 Marsit 2019, pas shtrimit në një spital në rajonin Hasakah të Sirisë, për shkak të plagosjes në këmbë nga një shpërthim ku humbi nënën.

Ai jetonte me familjen në Itali, por nëna e tij e cila ishte radikalizuar në mbështetëse të ISIS, e mori me vete në vitin 2014 në Siri.

Që prej asaj kohe, ai i kishte humbur gjurmët, por u gjet nga emisioni investigativ “Le Iene”, i cili u vu në kërkim të tij me kërkesë të babait të 11-vjeçarit.

Babai ka qenë personi i parë me të cilin Alvini ka folur në telefon. Avokati i familjes, Darien Levani tregon për Televizioni Klan detaje të bisedës mes tyre.

Qeveria shqiptare reagoi duke sqaruar se kishin pasur një plan që prej Gushtit për riatdhesimin e Alvinit dhe të shqiptarëve të tjerë në këtë kamp, që janë mbi 70, por ai kishte dështuar pasi në këtë zonë nisi një konflikt i armatosur mes ushtrisë turke dhe forcave kurde.

Tv Klan