Ekspertët e misionit të BE, EURALIUS, deklaruan se Kushtetuta mund të preket thjesht dhe vetëm për imunitetin. Kjo si përgjigje ndaj interesimit të deputetëve socialistë të cilët, propozimit të tyre për ndryshime të Kushtetutës lidhur me çështjen e imunitetit, i kanë shtuar dhe një paketë me ndryshime të tjera kushtetuese, si procese që sipas tyre i shohin të pandara nga njëra-tjetra në përpjekjen antikorrupsion.

Paketë ndryshimesh që gjithsesi u lanë jashtë agjendës së paracaktuar të Këshillit të Legjislacionit. Ekspertët e EURALIUS thanë të shtunën se në Kushtetutë duhet ndërhyrë vetëm për imunitetin dhe jo për nenet e tjera që kanë të bëjnë me Gjykatën e Lartë, pasi ky konsiderohet një proces që kërkon një debat transparent dhe tepër të gjatë, siç është çështja e gjykatës së Lartë.

Joaquin Urias: “Mendoj që reforma e imunitetit mund të fillojë sot dhe reforma e imunitetit mund të bëhet pa prekur nene të tjera. Por mendoj gjithashtu që një ditë, herët apo vonë Kushtetuta duhet të ndryshohet në lidhje me Gjykatën e Lartë. Kam qenë i pranishëm në një debat të gjatë në lidhje me imunitetin dhe imuniteti është një çështje e debatuar shumë. Kështu që i kemi dge zgjidhjet tani.”

Mbledhja e Këshillit të Legjislacionit ishte një seancë pyetje-përgjigjesh, me pjesëmarrjen e drejtuesve të institucioneve, të ekspertëve ndërkombëtar të PACA dhe EURALIUS, konstitucionalistëve dhe ekspertëve të ligjit, në një ballafaqim publik të dy projekteve të propozuara nga PD dhe PS për ndryshimin e imunitetit. Varianti i PD është varianti që kanë propozuar vetë ekspertët, ku deputetëve u ofrohet më pak mbrojtje imunitare sesa në variantin e propozuar nga PS. Ekspertët e PACA-s dhe EURALIUS kanë vlerësuar se imuniteti duhet të mbrojë vetëm nga arrestimi.

Joaquin Urias: “Propozimi i paraqitur nga PD, na bën veçanërisht të lumtur sepse është propozim i paraqitur nga Euralius. Prandaj mund të themi që na duket i përshtatshëm. Megjitahtë më duhet të them që dhe propozimi tjetër me të cilin jemi njohur zyrtarisht arrin standardet evropiane. Shpresoj që qeveria dhe opozita do të gjejnë një rrugë të mesme sepse shohin që në të dyja raportet të gjithë në Shqipëri,mendojnë që duhet të ketë një zgjidhje për çështjen e imunitetit.”

Ekspertët u pyetën edhe mbi faktin se pse në variantin e tyre që vjen si propozim i PD, parashikohet votim i hapur lidhur me rikthimin e mbrojtjes imunitare. Sipas ekspertëve kjo është praktika që ndeshet rëndom në shumicën e vendeve të BE.

Tilman Hoppe: “Pra gjëja më e rëndësishme është që vendimi të merret në publik. Kjo është e rëndësishme sepse publiku duhet të dijë se kush e ka marrë këtë vendim dhe po ashtu duhet të bëhen të qarta dhe arsyet e marrjes së vendimit dhe kjo në fakt është një qasje që zbatohet dhe për gjëra të tjera të rëndësishme psh. Para pak kohësh, ne  në Gjermani patëm një seancë për emergjencën financiare dhe seanca e votimit ishte e hapur ku të gjithë mund të shikonin se si u votua dhe nga kush u mor vendimi. Por ky është një çmim të cilin do duhet ta paguani në të gjitha rastet, dmth edhe në rastin kur votoni për Presidentin ose kur votoni për çështje të tjera të cilat janë votimi të hapura, ky është një çmim që duhet at merrni përsipër.”

Ekspertët propozuan që disa ndryshime të mos prekin Kushtetutën, por Kodin e Procedurës Penale, siç është për shembull rasti i kontrollit të shtëpisë. Po kështu, nisur nga pretendimet e opozitës, ata sugjeruan të specifikohet dhe rastet se çfarë quhet prekje e funksionimit të Kuvendit, pikërisht momenti që i rikthen ligjvënësit mbrojtjen imunitare.

tjetër çështje për të cilën ekspertët sugjeruan heqjen nga të dyja propozimet lidhet me shpifjen. Në të dyja propozimet thuhet se deputeti nuk mban përgjegjësi penale, civile ose ndonjë lloj tjetër përgjegjësie për mendimet e shprehura dhe votat e hedhura në Kuvend në ushtrim të detyrave dhe të drejtave të tij si deputet dhe se kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes. Sipas EURALIUS dhe PACA, është e vështirë të ndahet opinioni i lirë nga shpifja, gjë që mund të bëhet pengesë për cenimin e fjalës së lirë në Kuvend.

Jozefina Topalli: “Ftoj të dy relatorët, zotin Paloka dhe zoti Majko që që nga ky moment pas kësaj dëgjese të gjatë, të lodhshme, të rëndësishme dhe të suksesshme filloni menjëherë punën dhe me vullnetin e mirë për të votuar me 6 gusht amendamentet që janë adaptu nga PACA dhe Euraliusi dhe në momentin që jeni gati të na bëni me dije.”./tvklan.al