Policia shqiptare ka ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe Denis Bajrin, i njohur edhe me mbiemrin Brajoviq, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar për pesë vepra penale.

37-vjeçari mbërriti të mërkurën në Rinas nëpërmjet një fluturimi transit nga Stambolli dhe u shoqërua menjëherë drejt paraburgimit në “313” nën masa të rrepta sigurie nga forcat speciale dhe Drejtoria e Burgjeve.

Bajri ishte arrestuar në Dubai në fillim të vitit të kaluar. Ndaj tij rëndojnë akuza të rënda, kryesisht për krime kundër personit, të kryera si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Ai dyshohet si autor i vrasjes së mikut të tij, Gjin Boriçit (i njohur edhe si Gjin Ndoj), i cili u ekzekutua me breshëri kallashnikovi më 10 gusht 2020 në Vau Dejës, pranë automjetit që kishte marrë me qira. Ngjarja u zbardh nga përgjimet në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, në aplikacionet Sky ECC dhe EncroChat.

Sipas hetimeve të SPAK, pas porosisë për këtë vrasje fshihet emri i shumëkërkuarit Ervis Martinaj, i cili dyshohet se kontraktoi Behar Bajrin për organizimin e ekzekutimit, ndërsa detyra iu besua Denis Bajrit. Madje, për të shmangur dyshimet, Bajri mësohet të ketë marrë pjesë edhe në varrimin e viktimës.

Sipas hetuesve, në këmbim të vrasjes së Gjin Boriçit, Martinaj do të kryente një tjetër vrasje – atë të Kleant Musabelliut, për llogari të biznesmenit Pëllumb Gjoka, për shkak të një konflikti të mëparshëm mes tyre në vitin 2017.

Dubai, që deri vonë konsiderohej një strehë për personat që i shmangeshin drejtësisë, po tregon prej më shumë se një viti bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare dhe europiane.

Mes emrave të ekstraduar drejt Shqipërisë janë Julian Meçaj, Plaurent Dervishaj, Bruno Çobo, Florenc Çapja, Dashnor Dumani, Armis Stafa dhe, së fundmi, Denis Bajri.

Klan News

/tvklan.al