66-vjeçari dyshohet se u qëllua me silenciator

Behar Sofia ishte duke ecur në trotuar, përballë Piramidës në Tiranë, ku u ekzekutua nga një makinë e cila po vinte nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit. Pikërisht në këtë vend ai u qëllua me një armë me silenciator dhe më pas autorët u larguan drejt Rrugës së Elbasanit, duke humbur gjurmët për policinë.

Ky është 66-vjeçari Behar Sofia që u vra mëngjesin e së enjtes në kryeqytet. Ai sapo kishte konsumur kafen brenda një qendre tregtare pak metra më larg.

Këto janë momentet pasi i moshuari është qëlluar dy herë me armë dhe ndodhet i shtrirë në tokë dhe ende me shenja jete.

Sofia humbi jetën sapo mbërriti në spital, duke mos i mbijetuar dot plagëve.

Policia dyshon se në vrasje kanë marrë pjesë 3 persona, ku një mund të ketë ndjekur 66-vjeçarin dhe dy të tjerën realizuan ekzkeutimin. Ndryshe nga shumë ngjarje të tjera të ngjashme të ndodhura në vendin tonë, autorët pas ngjarjes nuk e kanë djegur makinën.

Pista kryesore e hetimeve është konfliktet për shkak të lëndëve narkotike.

Behar Sofia është arrestuar në vitin 1998 gjatë një operacioni të policisë turke. Ai ka bashkëpunuar me turkun Abdulselam Turgut, gjithashtu një emër i njohur në botën e trafikut të drogës.

Në atë kohë u kapën rreth 220 kg heroinë që do vinte nga Turqia në Shqipëri. Me Behar Sofinë u arrestua edhe Hekuran Hoxha, i ndaluar gjithashtu edhe për drogën e kapur në laboratorin e Hasit në 2019 në Shqipëri.

Gjithashtu disa bizneseve të Behar Sofisë në Tiranë u është vendosur lëndë eksplozive disa vite më parë.

66-vjeçari po hetohej edhe për pastrim parash, pasi ka qenë pjesëmarrës në organizatë kriminale.

Tv Klan