Tirana vazhdon të mbajë fronin sa i përket kredive. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kryeqyteti mban afro 68% të totalit të huasë për individë në vend, me mbi 257 miliardë lekë kredi aktive. Por ritmin më të lartë të rritjes nuk e ka Tirana, pasi qarku që ka zgjerimin më të shpejtë të huamarrjes është Elbasani. Banka Qendrore raporton se brenda një viti, kredia për individët në këtë qark u rrit me 22%, duke kaluar në mbi 10 miliardë lekë.

Pas Elbasanit renditet Durrësi, ndërsa Korça dhe Tirana ndjekin me ritme të larta rritjeje. Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e kredive po merret për blerje banesash, sidomos në Tiranë, ku huatë për apartamente kanë arritur në rreth 186 miliardë lekë. Ndërkohë, Lezha është i vetmi qark që ka shënuar rënie të lehtë të kredive për shtëpi.

Shifrat tregojnë se shqiptarët po mbështeten gjithnjë e më shumë tek bankat, jo vetëm për të blerë një apartament, por edhe për të përballuar kostot e jetesës dhe investimet familjare. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për individët arriti në 381 miliardë lekë në tremujorin e parë të vitit, me një rritje prej 18.1% krahasuar me një vit më parë.

Tv Klan

/tvklan.al