30 korrik 2026- Gjykata e Lartë ka caktuar datën 15 shtator, ora 09:30, për shqyrtimin e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas rikthimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese.

Kushtetuesja vendosi t’ia rikthejë Gjykatës së Lartë shqyrtimin e kërkesës për masën e sigurisë ndaj Veliajt, duke argumentuar se duhet të jepen arsye më të qarta se përse nuk është e përshtatshme aplikimi i një mase tjetër më të butë, përveç arrestit në burg.

Procesi gjyqësor ndaj Erion Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe disa të pandehurve të tjerë ndodhet aktualisht në fazën e shqyrtimit të themelit.

Veliaj është i vetmi person në këtë proces ndaj të cilit vijon masa e sigurisë “arrest në burg”.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj tij akuza për korrupsion pasiv në 9 episode, pastrim parash, fshehje dhe mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre, si dhe futje të sendeve të paligjshme në qeli.

Rishqyrtimi nga Gjykata e Lartë do të përcaktojë nëse masa aktuale e sigurisë do të mbetet në fuqi apo nëse do të zëvendësohet me një masë tjetër.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ndodhet me masën e sigurisë “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025.

/tvklan.al