Prokuroria e Posaçme ushtroi kontrolle në Bashkinë e Tiranës këtë të martë, 28 korrik, në kuadër të hetimeve ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë sekuestruar disa dokumente, sipas burimeve pranë hetimit.
Dokumentet lidhen me udhëtime dhe dieta të kryebashkiakut gjatë ushtrimit të detyrës dhe pritet të analizohen në funksion të hetimeve të ndara ndaj tij.
Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej shkurtit 2025, ndërkohë ka zhvilluar një takim me avokatët e firmës ligjore angleze që e përfaqëson. Biseda është fokusuar te përgatitja e një aplikimi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për të kundërshtuar masën e sigurisë ndaj tij.
Aplikimi pritet të depozitohet gjatë vjeshtës.
“Gjatë takimit të sotëm diskutuam aplikimin që synojmë të paraqesim në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në emër të tij, për t’u ankuar lidhur me ndalimin dhe vazhdimin e mbajtjes së tij në paraburgim. Shpresojmë që vendimet që do të merren nga gjykatat shqiptare të përshpejtohen dhe procedurat të ecin sa më shpejt, në mënyrë që ai të lirohet dhe të mund të vazhdojë jetën e tij të përditshme, si edhe ushtrimin e funksionit të tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës.”
“Biseda e sotme ishte më së shumti në lidhje me aplikimin që do të bëjmë për çështjen e masës së sigurisë në Gjykatën e Strasburgut. Korrëm një fitore në Gjykatën Kushtetuese, megjithatë jo të gjitha pikat janë pranuar dhe për këto ne do të shkojmë në Strasburg.”
Veliaj po gjykohet nga Gjykata e Posaçme për disa akuza, mes të cilave korrupsioni dhe pastrimi i parave. Përmes disa reagimeve publike, ai i ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se është i pafajshëm.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 